Albin Kurti - Isa Mustafa

Takimi për koalicion, Isa Mustafa asnjë fjalë para gazetarëve

Rreth katër orë ka zgjatur takimi i sotëm ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.

Por, pak fjalë janë thënë nga paria e LDK-së para kamerave të martën mbrëma kur janë pyetur rreth takimit me Vetëvendosjen.

Isa Mustafa së bashku me nënkryetarët, Agim Veliu, Lutfi Haziri e Vjosa Osmani, kanë propozuar Besian Mustafën që të tregoj një detaj nga takimi.

“Nuk kam shumë detaje, por vetëm se në fund janë pajtuar që të kenë edhe nesër një takim. Për orën e saktë do të iu njoftojmë nesër”, ka thënë Besian Mustafa.

Por, vetë Mustafa nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.

Ky takim i sotëm vjen një ditë pasi Albin Kurti takoi Presidentin, Hashim Thaçi, rreth konsultimeve për të caktuar mandatarin e Qeverisë së re.

Takimet mes Kurtit e Mustafës nuk kanë ndodhur deri para 26 dhjetorit, ditën kur u konstitua Kuvendi i Kosovës dhe në krye të tij u zgjedh Glauk Konjufca.