Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: 30 kontrata të KEK-ut do t'i deponoj në Prokurori

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) Abelard Tahiri ka deklaruar se kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, tashmë i suspenduar, për pesë muaj ka nënshkruar në vlerë të 72 milionë eurove 30 kontrata njëburimore.

“Për pesë muaj KEK ka nënshkruar në vlerë të 72 milionë eurove 30 kontrata njëburimore. Nëse i sheh këto  kontrata pra 72 milionë euro e sheh abuzimin e madh të cilin e ka kryer drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Pra 30 kontrata njëburimore të Nagip Krasniqit, që besoj që është me plot të drejtë në paraburgim edhe Mimoza ka shqetësim të madh sepse e njëjta ka mund të jetë në të kaluarën sepse është ndjekur politikisht nga drejtori i bordit që në atë kohë ka qenë ekspert në Prokurorinë Speciale dhe e ka shqetësim kur e sheh njeriun që e ka ndjekur si ekspert të PRSK e sheh në krye të bordit të KEK-ut”- ka thënë Tahiri.

Deputeti i PDK-së ka hedhur dyshime mbi suspendimin e Krasniqit, teksa ka kërkuar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli të prezantojë para deputetëve vendimin.

“Dëmi që ka shkaktuar në pesë muajtë e fundit është rreth 72 milionë euro, pra si mos të thirret një seancë e jashtëzakoshme? Si mos të ftohet në seancë e till? Ne duke e parë tendencën e tuaj për të mbrojtur një person të tillë, dhe deri në momentin kur e kemi thirrë seancën, menaxhmenti i KEK dhe ministria kanë refuzu me shkarku personin në fjalë dhe dyshoj që personi në fjalë ende  nuk është shkarku dhe suspendu, sepse personi që është vendosë  në pozitën e u.d së zv drejtorit i ka marrë kompetencat e drejtorit gjeneral dhe nuk ka asnjë vendim të drejtorit gjeneral”- tha Tahiri.

“E lus ministren që nëse është e kundërta le të na e prezantojë një vendim në të cilin tregohet që drejtori gjeneral është suspendu. Dyshoj që i njëjti nuk është suspendu, pra është vendosë u.d i zv drejtorit të KEK-ut që s’ka pasë pozitë dhe ai e drejton KEK-un deri në momentin e lirimit”- shtoi ai.

Më tej, Tahiri se si kryetar i grupit parlamentar do t’i deponojë 30 kontrata e përmendura në prokurori.

“Unë si shef i gp të PDK-së do t’i deponojë këto 30 kontrata në prokurori dhe jam i bindur që në përjashtim prej dy ose tri të cilat mund të kenë arsyetim janë rreth 27% prej tyre që nuk kanë arsyetim që të lidhen në procedurë njëburimore. Fuqia e madhe e atij personi që është në paraburgim është e pabesueshme”- ka theksuar Tahiri.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u arrestua javën e kaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit.

Më 25 prill, bordi i drejtorëve të KEK-ut mori vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. kryeshefit ekzekutiv, bordi ka emëruar Perparim Kabashin, aktualisht drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.