Sveçla pretendon se pas protestës për hapjen e xhamive qëndron Milazim Krasniqi

Një grup qytetarësh përmes një organizimi në “Facebook”, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre kështu duke kërkuar hapjen e xhamive në mënyrë që të bëhet falja e namazit.

Sipas grupit të krijuar në “Facebook” sot do të bëhet falja e namazit të ikindisë nga ora 16:30 deri 17:30 në sheshin “Skëndërbe” në Prishtinë.

Në lidhje me këtë organizim është deklaruar edhe U. D. i Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla gjithashtu ka theksuar se kanë informacione se pas këtij organizimi është publicisti Milazim Krasniqi.

“Jam informuar se sot pasdite, një grup “qytetarësh anonim” po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSh-së të marra sipas rekomandimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës. Kemi gjithashtu informacione se pas këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi”, ka shkruar Sveçla.

Në lidhje me këto akuza të Sveçlës KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe te Krasniqi. Deri në publikim të këtij lajmi KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje.