UP: Fillojnë ligjëratat online në Departamentin e Gazetarisë

Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës ka filluar nga sot t’i mbajë ligjëratat online përmes grupeve në Facebook të cilat janë përdorur edhe më herët.

“Sot, sipas orarit prof.asoc Milazim Krasniqi, ka mbajtur ligjëratën në lëndën “Gazetari hulumtuese”, me studentët e vitit të dytë”, thuhet në një njoftim nga Departamenti i Gazetarisë.

Ndërsa sipas profesorit kjo ishte hera e parë që ai mban ligjëratë online.

“Me duket se shkoi mirë. Studentëve po duket u pëlqeu dhe ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm me këtë formë mësimi/studimi edhe në lëndët e tjera dhe me vitet e tjera”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook.

Pas vendimit të Qeverisë për masat mbrojtëse nga coronavirusi, Universiteti i Prishtinës ka ndërprerë mësimin deri më 27 mars.

Deri më tani janë evidentuar 13 raste të infektimit të kosovarëve me virusin corona.