Foto: KALLXO.com

Mesazhi i vizitës së Palmer dhe Lajçak në Kosovë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Vizita që nisën të hënën në Kosovë, zëvendësndihmës sekretari i Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, ndodh në kohën kur faktori ndërkombëtar po kërkon me prioritet rinisjen e negociatave mes dy vendeve.

Palmer dhe Lajçak në ditën e parë të vizitës takuan përfaqësues të institucioneve dhe drejtues të partive politike kosovare.

Nga këto takime, pala kosovare kërkoi rol më të madh të ShBA-së në procesin e dialogut, njohje reciproke pas negociatave dhe dialog të drejtë e parimor.

Ndërkaq, përfaqësuesit ndërkombëtarë pritet që të martën t’u adresohen mediave përmes një konference të paralajmëruar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Njohës të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjeve politike në vend flasin për mesazhin që përçon vizita e Palmerit dhe Lajçakut, si dhe shfaqet edhe skepticizëm në këtë proces, marrë për bazë pozicionin e BE-së ndaj Kosovës.

Hulumtuesja dhe njohësja e çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, Violeta Haxholli (KDI), thotë për KALLXO.com se vizita e Palmer dhe Lajçak në Kosovë në fokus ka çështjen e dialogut mes të dyja vendeve.

Sipas saj, fakti që kjo është një vizitë e përbashkët e tyre synon të përçojë mesazhin se ShBA-të mbështesin rolin dhe përpjekjet e BE-së si lehtësuese e dialogut, në arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pritet që porositë e z.Palmer dhe z.Lajçak për udhëheqësit kosovarë do të jenë që dialogu duhet të vazhdojë njëherit edhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë”, theksoi ajo për KALLXO.com.

Ndërkaq, profesori universitar dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Milazim Krasniqi, ka thënë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk është ndërprerë asnjëherë, por që siç thotë ai, deri sot nuk ka pasur rezultat të qartë.

“Dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit asnjëherë nuk është ndërprerë, aq më pak mbyllur. Ka vazhduar me hope, me pauza, me ndërprerje të përkohshme. Por, deri sot pa rezultat të qartë. Nuk mund të ketë rezultat as tash, që po rifillon ngase palët nga BE trajtohen të pabarabarta”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Ai ka shtuar se BE-ja duhet ta ndryshojë qëndrimin, duke e njohur Kosovën si shtet, për të pasur një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme.

Vizita e zyrtarit evropian dhe atij amerikan në Kosovë do të bëhet rreth rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit të paralajmëruar muajin e ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në mars të këtij viti janë bërë 10 vjet që nga nisja e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.