Foto: RTK

Studentët e Gazetarisë nxjerrin revistën “INTRO”

Studentët e Departamentit të Gazetarisë të Fakultetit Filologjik të UP-së në bashkëpunim me profesorët dhe Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë lansuar revistën “INTRO” për edukimin mbi median dhe informacionin.

Në këtë revistë kanë punuar 23 studentë  të vitit të tretë të këtij Departamenti.

Njëra nga redaktoret, e cila është studente, ka treguar pse revistës iu la emri “INTRO”.

“’INTRO’ sepse kjo është një hyrje në fushën e asaj se çka mund të bëjnë mediat për qytetarët dhe qytetarët me dhe për mediat”, ka thënë Verona Selimi

Ndërsa shefi i Departmentit të Gazetarisë, Milazim Krasniqi, ka përgëzuar studentët për punën e bërë dhe revistën e ka konsideruar mjaft profesionale.

“Ky është njëri nga sukseset e radhës të Departamentit tonë, i cili ndonëse është një prej departamenteve të reja në Universitetin tonë, pa asnjë dyshim se është departamenti më dinamik”, ka thënë profesori Krasniqi.

Burim Ejupi nga INDEP shkrimet i ka konsideruar jo vetëm gazetareske por edhe profesionale.

“Nuk ishin vetëm shkrime gazetareske, pati edhe shkrime akademike. Është për t’u mburrur për Universitetin e Prishtinës çfarë kuadro po nxjerrë”, ka shtuar Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv në INDEP.