Sveçla: Për shkaqe të sigurisë kam dhënë urdhër të ndalohet hyrja e mallrave nga Serbia

Të gjitha automjetet që bartin mallra, janë ndaluar që të hynë nga Serbia në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se një vendim i tillë është bërë për shkaqe të sigurisë.

“Unë tashmë kam dhënë urdhër që për shkaqe të sigurisë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të ndalohet hyrja e maunave që vijnë nga Serbia” – tha ai.

Tutje i njëjti ka shtuar se të gjithë kamionët me targa të Serbisë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë, ndërsa çfarëdo kamioni tjetër, me targa të tjera, do të mund të futet nëse nuk ka mall të Serbisë.

Sveçla ka thënë se kjo masë do të vazhdojë deri në një vlerësimit tjetër të sigurisë.

Gjatë ditës së sotme tre policë kufitar të Republikës së Kosovës janë kidnapuar nga policia e Serbisë.

Nesër (e enjte) në mëngjes pritet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës.

Kështu kanë bërë të ditur burime të KALLXO.com brenda Qeverisë së Kosovës.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet pas zhvillimeve javët e fundit në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës njoftoi se të mërkurën në mesditë tre zyrtarë policorë kufitarë u kidnapuan nga forcat serbe në veri.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Pas tensioneve në veri, SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23.

Sot BE-ja ka vendosur “masa kufizuese” ndaj Kosovës por që nuk i ka quajtur sanksione.

Policia: Kidnapohen tre policë nga forcat serbe