Sulmuesi i Teksasit ishte brenda shkollës për rreth 40 minuta

Sulmuesi i Teksasit që qëlloi dhe vrau 19 fëmijë dhe dy mësues kishte  qëndruar brenda shkollës për rreth 40 minuta përpara se të vritej nga agjentët e Kontrollit Kufitar, thanë zyrtarët amerikanë.

Dëshmitarët u shprehen të zhgënjyer për vonesat nga autoritetet e atjeshme ndaj reagimit në këtë rast tragjik. 

Raportet e para të një burri të armatosur që po i afrohej shkollës filluan të dalin në sipërfaqe rreth orës 11:30 të së martës.

Vetëm pas orës 13:00, 18-vjeçari u konfirmua i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri brenda klasës së shkollës fillore Robb në qytetin e vogël të Uvalde.

Ka pasur raporte kontradiktore për atë që ndodhi para se sulmuesi të futej në ndërtesë dhe sesi forcat e rendit jashtë u përpoqën ta ndalonin atë.

Kishin kaluar rreth “40 minuta apo më shumë” nga momenti kur personi i armatosur hapi zjarr ndaj oficerit të sigurimit të shkollës, hyri në shkollë nga një derë e pasme dhe kur ekipi i Patrullës Kufitare e qëlloi atë, tha në një konferencë për media drejtori i departamentit të sigurisë publike të Teksasit, Steve McCraw.

Zyrtarët thanë se oficerët në vendngjarje ishin në gjendje ta “frenonin” me sukses personin e armatosur derisa të arrinin oficerë më të trajnuar.

Sipas autoriteteteve të atjeshme, personi i armatosur u sulmua në një klasë ku ai “e barrikadoi veten duke e mbyllur derën dhe pastaj kishte filluar t’i qëllonte fëmijët dhe mësuesit që ishin brenda asaj klase”.

Një zyrtar i zbatimit të ligjit, i njohur me hetimin, i ka thënë Associated Press se agjentët e Patrullës Kufitare kishin probleme për ta thyer derën e klasës dhe duhej ta merrnin një anëtar të stafit për të hapur dhomën me një çelës.

Dëshmitarët e rastit kanë thënë gjithashtu se që nga momenti fillestar ata i kanë kërkuar zyrtarëve të policisë të futen në shkollë, duke pretenduar se mund të ishte bërë më shumë në lidhje me këtë rast.

Personi i armatosur i kishte diskutuar planet e tij në Facebook para sulmit, tha guvernatori i Teksasit, Greg Abbott,  në një konferencë për media të mërkurën, duke shtuar se sulmuesi “postoi” në Facebook tri herë para masakrës vdekjeprurëse në shkollën fillore Robb.

Megjithëse Abbott i përshkroi ato si postime, të cilat zakonisht shpërndahen në një audiencë të gjerë, Facebook më vonë ndërhyri për të vënë në dukje se personi i armatosur kishte dërguar mesazhe direkte një për një, jo postime publike dhe se ato nuk u zbuluan deri “pas tragjedisë së tmerrshme”.

“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me zbatimin e ligjit në hetimin e tyre në vazhdim”, shkroi në Twitter zëdhënësi i Facebook, Andy Stone të mërkurën.

Në mesazhin e parë, të dërguar 30 minuta para se i armatosuri të shkonte në shkollë, ai tha se do ta qëllonte gjyshen e tij. I dyti tha: “Unë qëllova gjyshen time.” Dhe i treti, i dërguar rreth 15 minuta para sulmit, tha: “Unë do ta qëlloj një shkollë fillore”. Ai nuk specifikoi se cilën shkollë, thanë zyrtarët, dhe nuk ishte e qartë se kujt i ishin dërguar mesazhet.

Guvernatori i Teksasit i përshkroi mesazhet në një konferencë për media ku tha se sulmuesi, i identifikuar si 18-vjeçari Salvador Ramos, përdori një AR-15 për të sulmuar shkollën në Uvalde. Abbott tha gjithashtu se gjyshja e sulmuesit kishte thirrur policinë përpara se ai ta qëllonte atë.

Të shtënat ishin tërbimi më vdekjeprurës me armë në një shkollë amerikane në pothuajse një dekadë. Autoritetet kanë thënë se viktimat u vranë të gjitha në të njëjtën klasë, të klasës së katërt, ku vrasësi u barrikadua brenda.

Pasi e kishte braktisur shkollën e mesme, Ramos jetonte në Uvalde dhe nuk kishte të dhëna kriminale ose histori të problemeve të shëndetit mendor, tha Abbott.

Hetuesit kanë shqyrtuar gjithashtu një llogari në Instagram që me sa duket i përkiste të armatosurit.

Në ditët para të shtënave, postimet shfaqnin një foto të një dore që mbante një karikator municioni dhe një foto tjetër të dy pushkëve të stilit AR-15.

Llogaria i kërkoi një përdoruesi tjetër të Instagram-it të ndajë foton e fundit me 10,000 ndjekësit e saj; ajo nuk pranoi, duke thënë se ishte “e frikshme” dhe ajo mezi e njihte atë.

Në mëngjesin e masakrës, llogaria e lidhur me sulmuesin i dërgoi asaj një mesazh ogurzi: “Unë jam gati”.

Instagram nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve nga Associated Press në lidhje me postimet.

Të shtënat masive të fundit ka të ngjarë ta intensifikojnë më tej presionin mbi kompanitë e mediave sociale për ta rritur kontrollin e tyre të komunikimit online.

Sulmi në Teksas pasoi të shtënat në një dyqan ushqimor Buffalo më pak se dy javë më parë, ku personi i armatosur përdori mediat sociale për ta planifikuar, promovuar dhe transmetuar drejtpërdrejt masakrën që vrau 10 njerëz.

Prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut që atëherë ka hapur një hetim për Twitch, 4chan, 8chan dhe Discord së bashku me platformat e tjera të cilat sulmuesi Buffalo i përdori për ta zmadhuar sulmin.

Kompania mëmë e Facebook, Meta, ka thënë se i monitoron mesazhet private të njerëzve për disa lloje të përmbajtjes së dëmshme, të tilla si lidhje me malëare ose fotografi të abuzimit seksual të fëmijëve.

Por fotografitë mund të zbulohen duke përdorur identifikues unikë – një lloj nënshkrimi dixhital – që i bën ato relativisht të lehta për t’i shënuar nga sistemet kompjuterike.

Përpjekja për të interpretuar një varg fjalësh kërcënuese – të cilat mund të ngjajnë me një shaka, satirë ose tekste këngësh – është një detyrë shumë më e vështirë për sistemet e inteligjencës artificiale.

Prandaj, Facebook dhe platformat e tjera mbështeten në raportet e përdoruesve për t’i kapur kërcënimet, ngacmimet dhe shkeljet e tjera të ligjit ose politikave të tyre. Siç dëshmohet nga të shtënat e fundit, informacioni shpesh vjen shumë vonë, nëse vjen fare./The Guardian