FOTO: AGK.

AGK: Sulmohet gazetarja Ulpiana Emra gjatë finales së Superkupës mes Trepçës dhe Pejës

Gazetarja e ArtMotion, Ulpiana Emra është sulmuar nga tifozët derisa po raportonte në finalen e Superkupës në basketboll mes Trepçës dhe Pejës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se raportohet se Emra është sulmuar me shishe nga tifozët në tribunë, dhe ka marrë lëndime në trup.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me lajmin për sulmin ndaj gazetares së ArtMotion, Ulpiana Emra”-thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK ka dënuar sulmin ndaj gazetares Emra dhe i ka bërë thirrje Policisë që sa më parë të identifikojë sulmuesin/it, dhe t’i sjellë para drejtësisë që të marrin dënimet konform ligjit.

Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, e cila e ka dënuar sulmin ndaj gazetares.

Finalja e Superkupës së Kosovës mes Pejës dhe Trepçës ka qenë dramatike deri në sekondat e fundit, dhe në fund fitore shënuan mitrovicasit me rezultat 78-76.

Një ndeshje e tensionuar nga fillimi deri në fund me tifozët e të dy skuadrave që ishin në tribuna.

Në pjesën e parë skuadrat ishin pothuajse të barabarta me mitrovicasit që mbanin një epërsi të lehtë.

Kur kishin mbetur më pak se një minutë, loja u ndërpre dhe tifozët mitrovicas u nxorën jashtë.