Sulmi terrorist në Vjenë: Ministri jep detaje për sulmuesin me shtetësi austriake dhe maqedonase

Kanë dalë detajet e para në lidhje me sulmuesin që u qëllua për vdekje nga Policia në Vjenë, pas sulmit terrorist ku mbetën të vdekur 4 persona.

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, siç raporton The Guardian, tha se ai ishte 20 vjeç dhe vinte nga Maqedonia e Veriut.

Ai ishte një qytetar si i Maqedonisë ashtu edhe i Austrisë dhe kishte një rekord kriminal në lidhje me aktivitetin terrorist.

Nehammer tha se 20 vjeçari ishte armatosur me një pushkë automatike, një pistoletë dhe një hanxhar. Ai gjithashtu kishte veshur një rrip eksplozivi të rremë.

Ministri shtoi se janë realizuar 15 bastisje të shtëpive nëpër Vjenë dhe St P Stlten, rreth një orë nga kryeqyteti austriak. Nga këto bastisje janë arrestuar disa persona.

Policia austriake ka bërë disa arrestime në adresa të lidhura me një simpatizant të dyshuar të Shtetit Islamik i cili vrau të paktën katër persona në një sulm terrorist në Vjenë të hënën në mbrëmje.

Dy burra dhe dy gra vdiqën nga plagët e marra pas sulmit në qendër të kryeqytetit austriak, i cili ndodhi disa orë para se të fillonte izolimi i vendit për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Shërbimi spitalor i Vjenës tha se 7 persona janë në rrezik për jetë. Në total, 17 persona janë duke u trajtuar në spitale, me plagë nga armë zjarri, por edhe prerje.

Të shtënat filluan në orën 20:00 të hënën pranë sinagogës kryesore të Vjenës, ndërsa shumë njerëz po shijonin një natë të fundit në restorante dhe bare të hapura përpara izolimit nga COVID-19 për një muaj, i cili do të fillonte në mesnatë.