Sulmi ndaj të moshuarës në Pejë, Aktakuzë ndaj infermiereve

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj, A. P., A. R., dhe R. K., nën dyshimin se kanë sulmuar të moshuaren, vitin e kaluar në Pejë.

Një qytetare kishte publikuar një video në rrjetin social Facebook ku shihet një grua duke e sulmuar një të moshuar. Rasti kishte ndodhur më 29 tetor 2022. E moshuara shihet në video duke tentuar të largohet dhe duke bërë përpjekje ta mbrojë veten, përderisa një grua vazhdimisht e godet me shuplaka në fytyrë dhe me këmbë në bark. Të dyshuarave u ishte caktuar paraburgimi, ndërsa një vendim i Gjykatës Supreme i kishte liruar nga paraburgimi.

Aktakuza përshkruan se, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje përdorin forcën ndaj të moshuarës e cila ishte e vendosur në ketë strehimore, në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A. P., e pandehura R. K., e incizon me telefon.

Ndërsa, thuhet se pandehura A. R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A. P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat  kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë. Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit” – thuhet në njoftim.

 

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast të cilat mund ti lexoni në këtë LINK