Rrahja e të moshuarës në Pejë

30 ditë paraburgim për infermieret e përfshira në rastin e rrahjes të të moshuarës

Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për A.P., A.R., dhe R.K., të përfshira në rastin ku shihej një e moshuar duke u dhunuar fizikisht në një qendër për të moshuar.

Në komunikatën e Gjykatës thuhet se ekziston rreziku se nëse të pandehurat lihen në liri ato mund të ndikojnë në dëshmitarët që janë pjesë e stafit të shtëpisë për përkujdesje ku ka ndodhur rasti.

“Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to”- thuhet në komunikatë.

“Gjykata vlerësoi edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave, mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”- thekson Gjykata.

Policia: Rasti i dhunës ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 29 tetor