Ekspertiza: E moshuara që u rrah në shtëpinë e pleqve në Pejë ka shenja të përvëlimit e të dhunës në trup

E moshuara që ishte sulmuar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë ka edhe shenja të dhunës dhe përvëlimit.

Kështu tregon ekspertiza mjekoligjore që i është bërë viktimës.

“Po, unë e kam pranuar një raport të ekspertizës mjekoligjore, i cili tregon që ka pasur djegie në këmbë dhe shenja të tjera që përshkruhen detajisht në raport. Me këtë raport vërtetohet që e mbrojtura ime nuk është trajtuar siç duhet në atë qendër” – tha Meshari Selimaj, avokati që mbron familjen e të moshuarës që u sulmua në Pejë.

KALLXO.com ka siguruar edhe ekspertizën e rastit.

Aty është konstatuar se djegia lëkurore (përvëlim) në këmbën e majtë është shkaktuar si pasojë e temperaturës së lartë, siç mund të jenë lëngjet e nxehta.

Ekspertiza vë në pah se 7 deri 14 ditë më parë ka pasur edhe gjakmbledhje nën lëkurë që dyshohet se janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë ose përplasjes së trupit në objekt.

Ndërsa avokati Selimaj po pretendon se ekspertiza është hartuar shumë më herët, e ai e ka pranuar atë me vonesë prandaj avokati shprehet se mund të ketë  pretendime nga palët e tjera që të fshehin të vërtetën e këtij rasti.

“Ekspertiza është hartuar shumë më herët, e unë e kam pranuar këto ditë, besoj që mbrojtësit e qendrës po tentojnë të fshehin të vërtetën që e moshuara është djegur në atë qendër e tani veçse i ka kaluar djegia” – tha Meshari Selimaj.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast në vazhdimësi.

Një qytetare kishte publikuar një video në rrjetin social Facebook ku shihet një grua duke e sulmuar një të moshuar.

E moshuara shihet në video duke tentuar të largohet dhe duke bërë përpjekje ta mbrojë veten, përderisa një grua vazhdimisht e godet me shuplaka në fytyrë dhe me këmbë në bark.

Të dyshuarave u ishte caktuar paraburgimi, ndërsa një vendim i Gjykatës Supreme i kishte liruar nga paraburgimi.