Sulmi ndaj pronarit të barnatores ‘REXALL’, Prokuroria kërkon paraburgimin ndaj dy të dyshuarve

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ka kërkuar paraburgimin ndaj dy personave të dyshuar për sulm ndaj pronarit të barnatores ‘REXALL’ në Prishtinë.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 22 maj 2022, rreth orës 02:20, para barnatores “Rexall”, në rrugën “Mark Dizdari”, në Prishtinë, derisa i dëmtuari D. A., ka qenë duke e mbyllur barnatoren e lartcekur, të pandehurit V. C. dhe A. C., me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë sulmuar me mjete të forta (shufra) të dëmtuarin, me të cilat veprime i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“Po ashtu, ju njoftojmë se pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim me policinë, të pandehurit e lartcekur, më 27 maj 2022, janë ndaluar me aktvendim mbi ndalim për shkak të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të KPRK-së”, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.