Sulmi ndaj policëve në veri, Presidenca thotë se Serbia po tenton të destabilizojnë situatën e sigurisë
Pas njoftimit të institucioneve të sigurisë për sulmet që iu bënë për tri ditë me radhë policëve të Kosovës në veri, ka reaguar Zyra e Presidentes.
Shefi i stafit të kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, për katër sulmet ndaj policëve të Kosovës ka thënë se Serbia dhe strukturat e saj kriminale po synojnë që të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe të politikës në Kosovë.
Vela në Twitter ka shkruar se Serbia dhe këto veprime do të dështojnë dhe se shteti i së drejtës do të mbizotërojë.
In the last days, #Serbia & its criminal structures carried out several attacks targeting Kosovo Police in the north.
These actions coupled with disinformation attempts seek to destabilize security & political situation in #Kosovo.
They will fail, the rule of law will prevail. pic.twitter.com/nR9zwnIqed
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) April 15, 2022
Sot gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Sveçla ka thënë se sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm me granatë dore dhe kallashnikov ndaj disa policëve të Kosovës, të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare.
Sipas ministrit, ky sulm tashmë është i faktuar. Ministri Sveçla në konferencë për media ka thënë se në tri ditët e fundit janë realizuar katër sulme ndaj policëve të Kosovës në veri.
“Është bërë për qëllim të frikësimit të policëve. Grupe të ndryshme në 3 ditët e fundit kanë realizuar 4 sulme në atë zonë. Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqa metalik në kohën e njëjtë me sulmin e sotëm me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Më tej ministri ka treguar se sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në drejtim të policisë.
“Sulmi i tretë është publik, ka ndodh mbrëmë ku në afërsi të punktit policor, i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri dhe sot janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policor për në pikat kufitare”, ka theksuar Sveçla.
Në anën tjetër, drejtori i policisë ka thënë se mbrëmë në orët e vona ka pasur të shtëna me armë në Zubin Potok, të cilat Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i identifikojë nëse kanë qenë nga brenda territorit të Kosovës apo Serbisë.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në konferencë për media ka thënë se brenda tri ditëve (13-15 prill) janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra tjetrës.
Ai ka thënë se më 13 prill kanë ndodhur dy sulme, më 14 prill një sulm dhe sot një sulm.
Mehmeti ka treguar se Njësiti Kundër Terrorit dhe Prokuroria Speciale është duke u marrë me rastin.