Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme

Sulmet ndaj gazetarëve, kreu i Supremes kërkon përmirësimin e punës së gjyqësorit 

Një analizë e publikuar nga BIRN ka zbuluar se personat të cilët kanë sulmuar rrahur e kërcënuar gazetarët janë dënuar me dënime minimale ndërsa gjykatat janë kujdesur që gjatë dënimit të trajtojnë shumë prova  të cilat i lirojnë nga përgjegjësia personat e dyshuar.

Sipas ligjit, Gjykata kur dënon një person matë rrethanat rënduese dhe rrethanat lehtësuese për dënimin.

Sipas të dhënave në 5 rastet e analizuara, gjykata ka marrë vetëm 4 rrethana si rënduese, ndërsa si lehtësuese janë marrë 12 rrethana. Si rrjedhojë shumica e sulmuesve të gazetarëve janë dënuar me dënime me gjobë ose kusht.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka reaguar pas këtij publikimi duke potencuar se sistemi po vazhdon të ketë ngecje të mëdha në procesin e matjes së dënimeve.

“Pikërisht jo vetëm në mënyrë specifike veç për gazetarët por në përgjithësi për të gjitha veprat penale, sidomos rrethanat personale të kryerësit të veprës penale po keqpërdoren në një far formë për shkak se nuk janë rrethana që mund të ndikojnë në matjen e dënimit, në drejtim të arsyetimit të matjes së dënimit” – ka thënë ai.

Ai tha se rrethana kryesore janë rrethanat rreth veprës dhe pasojave, ndërsa tha se rrezikshmëria në rastin e këtyre veprave penale ndoshta është me e lartë se veprat e tjera, ngase sipas kryetarit kjo ndikon drejtpërdrejt në punën e njoftimit të publikut për ngjarje.

Peci lidhur me çështjen tha se synojnë që çështja e arsyeshmërisë së dënimeve të hyjë në vlerësim të performancës.

“Në të ardhmen ndoshta duhet menduar për ndonjë udhëzim specifik për këto vepra penale qe kryhen ndaj gazetarëve, ne i kem trajnimet e vazhdueshme me gjyqtarët, unë jam trajnues qe me i sugjerua qe në të ardhmen me e pas  të performanca e tyre për shkak se KGJK së shpejti do të ndodhe qe të vlerësimi i përformancës të hyjë edhe të pjesa e arsyeshmërisë se rrethanave” – tha ai.

BIRN ka rekomanduar që sistemi të nisë ndryshime në politikën ndëshkimore për të siguruar që sulmuesit e gazetarëve të marrin dënimet e merituara.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.