Laboratori në QMF të Fushë Kosovës jashtë funksionit (VIDEO)

Pacientët të cilët kanë pasur nevojë gjatë ditës së sotme ta shfrytëzojnë laboratorin në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komunën e Fushë Kosovës nuk kanë mundur të drejtohen aty për arsye se laboratori ka dalë jashtë funksionit.

Pas raportimit të qytetarëve, ekipi i KALLXO.com, ka dalë në teren dhe ka parë për së afërmi se laboratori nuk është funksional.

Banorët gjithashtu kanë thënë se në mungesë të funksionimit të laboratorit, janë të detyruar që këto shërbime t`i kryejnë në laboratorë privatë.

Hilmi Stafofci, banor i kësaj komune tha se nëse nuk punon laboratori në QMF duhet të drejtohen në laboratorë privat.

“Nëse nuk punon këtu ne duhet me shku tjetërkund s’kemi tjetër rrugëdalje. Erdha tash me marr një udhëzim me shku në infektivë. Në rastet kur nuk punon drejtohemi në laboratorë privatë, ku të punojnë” – tha Statofci.

Edhe banori tjetër Fetah Kajtazi ka bërë lutje që t`i vënë në funksion aparaturat të cilat nuk janë funksionale pasi sipas tij është në të mirën e qytetarëve.

“Jo vetëm këtu po kudo që ne kemi vështirësi të mëdha sa herë kemi problematika nëse nuk punojnë aparaturat ne jemi të detyruar të shkojmë edhe në privat, aty kuptohet që punojnë me çmime shumë të larta kështu që jeta jonë po vështirësohen edhe më shumë. Ju kisha lut që kudo që nuk funksionojnë t`i fusin në funksion për të mirën e qytetarëve” – u shpreh Kajtazi.

Mustafa Gashi, kryeshef i Qendrës së Mjekësisë Familjare, e ka konfirmuar për KALLXO.com se për shkak të defektit në aparaturë përkohësisht laboratori do të jetë jashtë shërbimit për analiza. Defekti sipas tij është vërejtur gjatë ditës së sotme.

“Sot shërbimet e laboratorit janë bërë të pamundura për shkak të një defekti në aparaturën biokimike… Në këtë laborator bëhen analizat biokimike, sheqeri analizat në urinë, për yndyra, mëlçi, etj” – tha ai.

Gashi shtoi se në laborator i kryejnë të gjitha analizat e parapara për kujdesin parësor shëndetësor sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në pjesën më të madhe të kohës qytetarët marrin shërbime.

“Deri më tani gjatë këtij muaji janë dhënë gjithsej shërbime laboratorike për rreth 1 mijë r 400 persona. Numri i qytetarëve që kanë kryer shërbime laboratorike ka qenë 60 deri 100 ose mesatarisht rreth 80 pacientë kryejnë shërbime” – tha ai.

Gashi tregoi se menjëherë e kanë kontaktuar operatorin për servisim të aparaturave dhe presin që shumë shpejtë të bëhet sanimi i defektit.