Analiza gjaku, Foto: Pixabay

Prishjet e aparaturave në QKMF të Fushë Kosovës pamundësojnë bërjen e analizave

Në laboratorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë nuk po kryhet asnjë analizë. Kjo për shkak të prishjeve të disa aparaturave.

KALLXO.com ka kontaktuar me disa persona përgjegjës nga kjo komunë për të marrë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Merita Shala, shefe e laboratorit tha se problemi qëndron te 2 aparate të cilat janë prishur dhe pamundësojnë bërjen e analizave.

“Problemi është se aparati biokimik është i prishur prej 7 marsit dhe aparati hematologjik nuk po i lexon vlerat saktë” – tregoi ajo.

Rastin siç tha ajo e ka lajmëruar te kryeshefi i QKMF-së, Mustafë Gashi.

Ky i fundit tha se për këtë e ka njoftuar Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe operatorët ekonomik që tha se disa herë kanë intervenuar, por kanë qenë zgjidhje të përkohshme dhe nuk ka pasur qëndrueshmëri e stabilitet të aparaturave.

Tani ai tregoi se komuna ka hapur tender për servisim dhe mirëmbajtje të aparaturave mjekësore.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Mimoza Kolshi tha se deri më tani nuk kanë pasur operatorë ekonomik të kontraktuar për servisim, ndërkaq vitin e kaluar tha se ka pasur prishje vetëm një herë dhe e kanë bërë servisimin me “petty cash”.

“Petty cash” apo shqip para e imët, është një shumë e vogël parash e cila përdoret për të paguar shpenzime të vogla.

KALLXO.com kërkoi përgjigje për shumën e paguar me “petty cash”, por këtë përgjigje nuk mundi ta ofrojë sot, pa i parë dokumentet e arkivuara.

E pyetur se pse nuk është hapur një tender për servisim të këtyre apraturave deri më tani, ajo tha se për shkak se kur ka ardhur në këtë pozitë vitin e kaluar, një tender i tillë nuk ka qenë i paraparë në planin e projekteve për vitin 2022.

Ndërkaq, vitin e kaluar tregoi se e ka planifikuar për vitin 2023 dhe më 7 prill është shpallur njoftimi për tender, i cili do të jetë i hapur deri më 28 prill.

Kontrata që do të nënshkruhet nga ky tender do të jetë në kohëzgjatje prej tre vitesh dhe ka vlerën e parashikuar 70 mijë euro.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në komunën e Fushë Kosovës për të kuptuar shumën e paguar me “petty cash” dhe është në pritje të përgjigjes.