Stuhia Ciaran: Paralajmërime për mot të përkeqësuar në Europën veriperëndimore

Stuhia Ciaran tashmë ka shkaktuar një vdekje, ka ndërprerë energjinë elektrike në Francën veriperëndimore dhe ka shkaktuar disa anulime fluturimesh. Përmbytje mund të ndodhin edhe në disa zona bregdetare në rrugën e stuhisë.

Zyrat meteorologjike në Europën veriperëndimore kanë lëshuar paralajmërime për erë dhe shi deri të enjten për shkak të stuhisë Ciaran, e cila po lëviz nëpër rajon drejt Detit të Veriut.

Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se paralajmërimet për erën dhe shiun do të mbeten në fuqi deri të premten dhe lëshoi alarme ngjyrë qelibar për pjesë të Anglisë jugperëndimore dhe më pas në juglindje të vendit, më vonë gjatë ditës.

Ka pasur edhe rrezik për përmbytje në komunitetet bregdetare.

Disa fluturime anulohen, raportohet për ndërprerje të energjisë elektrike

Stuhia po bën të ndjehet edhe prania e saj mbi Europën kontinentale ku disa fluturime janë anuluar dhe energjia elektrike është ndërprerë.

Në Francë, Ministri i Transportit Clement Beaune i tha radios lokale se një shofer kamioni vdiq në departamentin Aisne, në verilindje të Parisit kur një pemë ra mbi kamionin e tij.

Sistemi i motit shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë në 1.2 milionë familje.

Ministrja e Energjisë Agnes Pannier-Runacher ka thënë se ekipet e teknikëve po punojnë për ta rivendosur furnizimin me energji elektrike.

Rreth 780,000 familje u prekën në zonën e Brittany, që ndodhet në veriperëndim të Francës.

Linjës ajrore holandeze KLM iu desh të anulonte dhjetëra fluturime nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit të enjten me erëra të forta ere deri në 110 kilometra në orë.

Gjermania lëshon paralajmërime për stuhi të forta

Shërbimi Gjerman i Motit (DwD) të enjten lëshoi gjithashtu paralajmërime për zonat bregdetare gjermane të Detit të Veriut dhe Detit Baltik.

Frisia Lindore dhe Heligoland e Gjermanisë do të preken veçanërisht dhe në Detin Baltik pritej të vazhdonin erërat e forta, por priten erëra më të forta nga Flensburg në Fehmarn dhe ishullin Rügen./DW

Përgatiti: Nuhi Shala