Foto: REL/Reuters

Opinion i The Guardian: Trump 2.0 do të nënkuptonte kaos dhe kërcënim për Evropën

Ndërkohë që Donald Trump po fiton momentum drejt sigurimit të nominimit republikan për garën e ardhshme presidenciale, ka një shqetësim në rritje midis aleatëve evropianë të SHBA-së për mundësinë e kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. Një revansh mes Joe Biden dhe Trump duket i pashmangshëm duke e shtyrë Evropën t’i nisë përgatitjet për sfidat e mundshme të një presidence të dytë të Trump.

Mandati i mëparshëm nën Trump ishte traumatik për Evropën, jo vetëm për shkak të dallimeve të politikave të tilla si tërheqja nga marrëveshja bërthamore e Iranit, por më e rëndësishmja sepse Trump nuk e trajtoi Evropën si një aleat familjar. Afiniteti i tij për autoritarët si Xi Jinping dhe Vladimir Putin mbi liderët evropianë të zgjedhur në mënyrë demokratike i pati rritur edhe më tej tensionet politike. Kjo antipati ndaj Evropës mbetet e pandryshuar dhe një mandat i dytë mund të rezultojë në boshllëqe më të theksuara politike, pasi Trump 2.0 parashikohet të jetë më koherent dhe më i vendosur.

Kompleksitetit i shtohet një kontekst ndërkombëtar i shënuar nga luftëra të vazhdueshme, duke përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe konfliktin në Lindjen e Mesme. Kthimi i mundshëm i Trump në Shtëpinë e Bardhë shihet si një faktor që i prolongon edhe më tej këto luftëra, duke çuar në një telash strategjik më të keq për Evropën pas nëntorit 2024.

Implikimet e Trump 2.0 për Evropën shtrihen në dallimet ekonomike dhe politike të Lindjes së Mesme, duke i përkeqësuar potencialisht marrëdhëniet transatlantike. Pozicioni i Trump ndaj Ukrainës pritet të pësojë një ndryshim radikal, duke ngritur shqetësime për braktisjen e mbështetjes dhe duke i dhënë kurajon Moskës njëkohësisht. Një presidencë e dytë e Trump mund të përbëjë gjithashtu një kërcënim për demokracinë amerikane, me pasoja të mundshme për rendin global, duke përfshirë dobësimin e institucioneve shumëpalëshe si OKB-ja.

Rreziku i rritjes së së djathtës ekstreme në zgjedhjet evropiane rritet nëse Trump kthehet në pushtet, duke i demaskuar potencialisht qeveritë dhe lëvizjet e ekstremit të djathtë. Për Evropën “të mbrojtur nga Trump”, kërkohen masa proaktive, veçanërisht në Ukrainë, ku nevojiten përpjekje për ta tejkaluar hendekun e ndihmës me SHBA-në dhe për t’i rritur aftësitë e mbrojtjes. Për më tepër, vendet evropiane duhet të përballen me realitetin e kontinentit të tyre në luftë dhe ta konsiderojnë forcimin e pozicionit të tyre brenda NATO-s. Mbështetja e demokracisë liberale dhe multilateralizmit është kruciale, duke kërkuar që BE-ja t’i përforcojë kushtet e sundimit të ligjit dhe t’i japë përparësi marrëdhënieve me demokracitë me të njëjtin mendim globalisht.

Pavarësisht nga rikthimi i mundshëm i Trump, Evropës i kërkohet të ndërmarrë këto veprime pasi dështimi për të vepruar ose reagimi kaotik përballë skenarëve të rasteve më të këqija do t’i jipte Trumpit një provë shtesë të ndikimit të tij./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala