Foto: REL/NATO

Stoltenberg: Ka rrezik për një konflikt të armatosur në Evropë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten vizitoi një bazë ajrore ushtarake në Rumani, që është nikoqire e afro 1,000 trupave amerikane, që janë dislokuar në këtë shtet si pjesë e përpjekjeve të aleancës për të forcuar krahun lindor, pas rritjes së tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës.

Stoltenberg, që u takua në bazën ajrore Mihail Kogalniceanu, me presidentin rumun Klaus Iohannis dhe zyrtarë të tjerë të lartë, tha se “ka rrezik për një konflikt të armatosur në Evropë”.

“Ne nuk kemi siguri lidhur me atë që do të ndodhë. Prandaj ne i bëjmë thirrje Rusisë që ta shtensionojë situatën”, tha Stoltenberg për gazetarët.

“Ne jemi vigjilentë dhe të përgatitur dhe kjo është arsyeja që prezenca e trupave të NATO-s në Rumani është kaq e rëndësishme”, shtoi ai.