Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Stano: Borrell ka ftuar Kurtin dhe Vuçiq për t'u takuar në Bruksel në ditët e ardhshme

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’u takuar më ditët e ardhshme.

Stano në një intervistë për ABCnews.al, tha se shpreson që ata t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për të vazhduar që siç është shprehur ai “frymën pozitive që u arrit këtë javë”.

“Por, përfaqësuesi i lartë i BE-së ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në ditët që vijnë. Shpresoj, që ata do të mund të vijnë, kështu që të mund të vazhdojmë me frymën pozitive që u arrit këtë javë dhe të shfrytëzojmë këtë momentum për të ecur përpara. Kjo nuk bëhet për BE-në por për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, për fillimin e ndalimit të përshkallëzimit të situatës dhe përfitimin nga perspektiva evropiane” – tha Stano.

Stano theksoi se është e rëndësishme që t’i kenë Kurtin dhe Vuçiq në Bruksel në të njëjtë ditë dhe për të njëjtën agjendë.

“Datat për takim të nivelit të lartë  në Bruksel publikohen pak para se të mbahet takimi, thjesht për çështje logjistike. Ne duhet të kemi çdo gjë në rregull, që do të thotë edhe konfirmimin e palëve, nëse ata mund të vijnë në një datë dhe orë të caktuar. Për ne nuk është e rëndësishme, që të spekulojmë datat para kohe. Është e rëndësishme që t’i kemi ata në Bruksel, që të kemi konfirmimin e tyre për ardhjen në Bruksel në të njëjtën ditë dhe për të njëjtën agjendë, duke shpresuar të ketë rezultate”- shtoi ai.

Më 23 nëntor, palët në Bruksel u dakorduan për çështjen e targave për të shmangur eskalimin e situatës në veri. Marrëveshja u arrit dy ditë pasi më 21 nëntor në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Edhe pas 8-orësh diskutime në takime të ndara dhe të përbashkëta, për arritjen e një zgjidhje për çështjen e targave, në fund nuk pati marrëveshje.