Stafi i KALLXO.com ka fituar 8 çmime gjatë vitit 2021

Stafi i KALLXO.com gjatë vitit 2021 është shpërblyer me gjithsej tetë çmime për punën e realizuar në storiet e tyre hulumtuese kundër korrupsionit, për prokurim publik, për ambientin si dhe çmimet gazetari i vitit dhe kameramani i vitit 2021.

Gazetari i KALLXO.com, Kastriot Berisha, është zgjedhur gazetari i vitit 2021 nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK ka shpërblyer Berishën për punën e tij në hulumtimet më të mira në sektorin e drejtësisë të cilat patën reagim të madh shoqëror dhe si rezultat patën nisjen e hetimeve penale, procedurave disiplinore dhe suspendimin e një gjyqtare.

I pari, hulumtimi për Prokurorinë e Gjilanit zbuloi skemën e angazhimit të eksperteve mjekësor në cilësinë e eksperteve mjeko-ligjor në kundërshtim me ligjin.

Hulumtimi i dytë është ai i analizimit të një ndëshkimi skandaloz të Gjykatës së Pejës për dhunimin e 15 vjeçares. Artikulli paraqet një analizë të thellë të aktgjykimit që tregon shkeljet e Gjykatës dhe arsyet e nevojës për hetim ndaj protagonisteve të rastit.

AGK-ja e ka shpërblyer Denis Sllovinjën me çmimin “Kameramani më i mirë i vitit 2021”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka shpërblyer kameramanin Sllovinja për punën e tij në xhirimet e tij në storien “Pilot që nga mosha 17 vjeçare”.

Për xhirimin e kësaj videoje Sllovinja kishte përdorur tri pajisje teknologjike: Dron, disa GO PRO, Aparat për xhirimin e intervistave.

Në maj të vitit 2021 në kuadër të ceremonisë së ndarjes së çmimeve për gazetarët më të mirë për raportim në fushën e prokurimit publik në Kosovë të shpallur nga Lëvizja FOl gazetarja hulumtuese e BIRN, Doruntina Kastrati  ka fituar çmimin e parë me hulumtimin, “Tenderi i dyshimtë për familjen e ministrit”.

Ndërsa gazetarët hulumtues, Valon Fana dhe Virtyte Gërvalla nga BIRN kanë fituar çmimin e tretë me hulumtim, “Komuna e Gazmend Muhaxherit kurdis tenderin për familjarët e Ramiz Kelmendit”.

Në korrik të vitit 2021, me çmimin e parë dhe të tretë për storiet më të mira hulumtuese nga Bashkimi Evropian është shpërblyer ekipi i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Çmimi i parë nga BE iu nda kryeredaktores Jeta Xharra dhe redaktorit Visar Prebreza, për storien e tyre hulumtuese që shpalosi se biznesmenin Blerim Devolli qëndron prapa gjashtë kompanive duke përfituar miliona euro nga shitja e energjisë solare.

Ndërsa hulumtuesit Kreshnik Gashi dhe Adelina Ahmeti fituan çmimin e tretë nga BE-ja për hulumtimin e tyre lidhur me kontrabandën në Karaçevë.

Po ashtu, më 20 dhjetor tre gazetarë të BIRN-it janë shpërblyer me Çmimin e Ambientit për storiet e tyre për Ambientin.

Gazetari Egzon Dahsyla e ka fituar çmimin e parë me storien “Vazhdon djegia ilegale, shteti ka dështuar të trajtojë gomat e nxjerra nga përdorimi edhe pse është material i riciklueshëm”. Kjo storje është publikuar në KALLXO.com

Ndërsa Antigona Isufi dhe Blerta Begisholli janë shpërblyer me çmimin e dytë për storien “‘Kaosi urban’ fajësohet për zhdukjen e gjelbërimit në Kosovë” të publikuar në Prishtina Insight.