Foto: Erion Veliaj/Facebook

Sot zgjedhjet lokale në Shqipëri

Sot mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj.

Këto zgjedhje u paraprinë nga një situatë e pazakontë politike kur opozita ishte e përçarë dhe socialistët të vetëm kërkojnë rikonfirmimin në pjesën më të madhe të bashkive.

Nga 61 bashki, tri prej tyre, Vorë, Kamzë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik dhe rezultati pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.  Janë 3.650.550 zgjedhës me të drejtë vote, ndërsa 122.545 janë votues për herë të parë.

Sipas informacioneve janë 5211 qendra votimi të ngritura në të gjithë vendin.

44 parti janë regjistruar në zgjedhje nga të cilat 38 janë jashtë koalicioneve. Dy koalicione janë në zgjedhje, “Bashkë Fitojmë” me kryetar Ilir Metën dhe “Aleanca Liberale e Djathtë” me kryetar Artur Roshin.

Këtë të diel garojnë 144 kandidatë për kryetar bashkie, kurse për këshilla bashkiakë garojnë 23.762 kandidatë. Votimi dhe numërimi elektronik do të zbatohet në tre bashki me 401 qendra votimi/TopChannel/.