Sot caktimi i seancës për shpërndarjen e Kuvendit

Sot në orë 11  pritet të mblidhet kryesia e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare për të caktuar seancën për shpërbërje të Kuvendit.

Në rendin e ditës të kësaj mbledhje janë përgatitjet për mbajtjen e seancës plenare për shpërndarjen e Kuvendit të Legjislaturës së VI.

Të gjitha partitë politike deri më tani janë shprehur se janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Vendimi i Veselit për të ftuar kryesinë e Kuvendit për të caktuar seancën për shpërbërje është marrë vetëm pak orë pas letrës që presidenti Hashim Thaçi i kërkoi atij të propozojë mandatarin e ri për kryeministër.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, i ka kërkuar edhe zyrtarisht koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë letër të presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Veseli në përgjigjen drejtuar Thaçit ka thënë që nuk do të ketë mandatarë të tjerë por do të ketë zgjedhje.

“Si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër”, ka njoftuar Veseli.

Sipas Veselit, kuvendit është i obliguar që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm që shteti të mos shkojë në vakum institucional.

“Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam vendosur që të hënën, më 5 gusht 2019, të thërras një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bashkë me Kryetarët e Grupeve Parlamentare, në funksion të veprimeve të cilat duhet t’i ndërmarrim në ditët në vazhdim, konkretisht për të diskutuar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Veseli.

Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e tij më 19 korrik për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.