Smajl Latifi kërkon përkrahje urgjente nga Qeveria pas përmbytjeve në Rahovec

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar përkrahje urgjente nga Qeveria për shkak të gjendjes së rëndë në këtë komunë nga përmbytjet për shkak të reshjeve të shiut.

Latifi ka vizituar disa nga zonat e prekura duke treguar edhe për dëmet që janë shkaktuar në këto zona.

“Përmbytjet nga ujërat dhe pasojat që kemi në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike i shohim në: Fortesë, Sapniq, Pataqan i Ulët, Ratkoc, Malësi eVogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Retijë, Dejn, Krushë e Madhe, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol, Pastasel, Polluzhë, Kramavik etj. Pra, në qytet dhe në shumicën e fshatrave, si pasojë e reshjeve të mbrëmshme dhe erërave të forta kemi: shembje të mureve dhe të dheut në qytetin e Rahovecit, si në: rr.” Milaim n Morina dhe rr. “Mexhit Mustafa” si dhe shembje të murit në rr. “Vëllezërit Frashëri” dhe në disa fshatra”, ka shkruar Laftifi në facebook.

I pari i Komunës së Rahovecit ka theksuar se drejtoria e emergjencave së bashku me zjarrfikësit si dhe drejtori të tjera janë duke punuar për ti dalë në ndihmë qytetarëve.

“Me vendimin tim janë formuar komisione të veçanta të vlerësimit, të cilat po regjistrojnë dëmet e mëdha janë amvisëri, ekonomi të shumta familjare, bujqësi dhe infrastrukturë publike. Po bëjmë krejt çka është e mundshme si komunë, e pas hartimit të raporteve të vlerësimit, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direke për mbulimin e dëmeve”, ka theksuar ai.

Lafiti ka thënë se qytetarët që kanë nevojë për përkrahje emergjente të lajmërohen te drejtoria e emergjencave në numrin: 029-277-555.

Shumica e komunave në Kosovë janë duke u përballur me rrugë të prishura, ura të rrëzuara, ndërprerje të rrymës elektrikë si dhe përmbytje të shtëpive të tyre pas rritjes së reshjeve atmosferike ditëve të fundit.