Ilustrim

Skema e fajdeve dhe lidhja me autosallonet (VIDEO)

Në një rrëfim për KallxoPernime prokurori Rasim Maloku ka rrëfyer skemën e zbuluar deri më tani, në të cilën autosallonet luksoze ishin përdorur për të mundësuar dhënien e parave me fajde.

Maloku që drejton hetimet në rastin “Brezovica” është përfshirë edhe në hetimet e fajdeve të cilat rodhën nga ky rast.

Sipas Malokut, miliona euro dyshohet të jenë dhënë me fajde ndërsa mbi 10 autosallone ishin përdorur për të siguruar para kash, të cilat përdoreshin për të paguar kamatat e fajdeve.

“Personat që kanë qenë viktima të fajdeve duke qenë në pamundësi t’i kthejnë ato mjete për kthimin e fajdeve përkatësisht këta persona i kanë udhëzuar të marrin vetura tek autosallonet e caktuara dhe pastaj ato t’i shesin tek autosallonet e tjera dhe në këtë mënyrë t’i paguajnë fajdet tek këta” – thekson Maloku.  

Sipas Malokut, veturat janë marrë për të siguruar para kesh pasi çmimi i shitjes brenda orës ka ndryshuar dhe ka pasur raste kur autosalloni i njëjtë e ka blerë veturën më lirë. 

“Të themi tek autosalloni i parë vetura është marrë me çmim shumë më të lartë ndërsa tek autosalloni tjetër vetura është shitur me çmimin që i ka konvenuar autosallonit që e ka blerë. Këto viktima kanë qenë të varur për me siguru mjete materiale meqë është dashur të paguajnë për personat që i kanë kërkuar fajdet sepse ata nuk kanë qenë të interesuar të marrin vetura por para”- tha Maloku duke shtuar se qarkullimi parave të fajdeve është disamilionësh.

Në dosjen e fajdeve e cila ka lindur nga rasti “Brezovica janë të paktën 40 persona të dyshuar, duke përfshirë pronarë të bizneseve dhe pronarë të autosalloneve.