Pamje nga debati për targat- Çagllavicë. Foto: KALLXO.com.

Debati për targat, serbët kërkojnë shtyrjen e afatit

Analisti Albinot Maloku ka thënë sot se Qeveria e Kosovës nuk duhet të shtyjë afatin për ndërrimin – regjistrimin e makinave në targat nga “KM, “PR”, etj., në RKS.

Gjatë debatit “Riregjistrimi i automjeteve, çështje teknike apo statusi” që u mbajt në Qendrën Mediale në Çagllavicë, Maloku tha se qeveria duhet të krijojë lehtësira financiare dhe administrative për 10 muaj për regjistrimin e makinave me targave nga ato jo legale në legale, por jo ta shtyjë afatin, që përfundon në fund të këtij muaji.

Por, me këtë nuk janë pajtuar përfaqësues të OJQ-ve dhe analistë serbë, pjesëmarrës në debat.

Aleksandar Arsenijeviq- president i Iniciativës qytetare “Mbijetesa serbe”, Branimir Stojanoviq – ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës dhe Miodrag Miliçeviq – drejtor ekzekutiv i OJQ “Aktiv”, thanë se Qeveria e Kosovës duhet të shtyjë afatin për targat, për të shmangur eskalimet e mundshme, sidomos në veri të vendit.

Sipas tyre, Qeveria nuk është konsultuar me qytetarë e as me përfaqësues politikë të serbëve kur ka vendosur për targat.

Gjatë debatit u tha se çështja e targave është politizuar skajshmërisht, duke dhënë edhe ide se si duhet të dilet nga kjo situatë

Analisti Albinot Maloku ka mbrojtur qëndrimin e Qeverisë së Prishtinës për targat. Ai ka thënë se vendimi për targat është marrë në bazë të marrëveshjeve të arritura me parë në Bruksel.

Ai ka fajësuar edhe rolin neutral të Bashkimit Evropian lidhur me marrëveshjet e arritur në Bruksel.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të shtyjë afatin për targat, por të krijojë lehtësira financiare dhe administrative për regjistrimin e makinave me targa në RKS, nga ato KM, PR, PE, etj., sepse lëshimet kanë prodhuar situata ku bisedohet për të njëjtën çështje me dekada. Edhe kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për shtyrje të afatit është e paarsyeshme. Për mua problematike është edhe roli neutral i BE-së”- tha Maloku.

Branimir Stojanoviq, ish-zëvendës kryeministër, tha se afati për tagrat duhet të shtyhet. Ai tha se tema e targave nuk do të ishte ngritur nëse nuk do të kishte ndodhur lufta në Ukrainë, dhe kjo bëhet për të bërë që Beogradi t’ i vendos sanksione Rusisë. Por, ai ka përmendur edhe disa çështje tjera, si çështja e asociacionit e problemi me tokën e Manastirit të Deçanit.

“Ka edhe shumë probleme tjera përveç targave, çështjet e dialogut, ka me mijëra për serbët me të cilat mund të merrej Qeveria në Prishtinë për t`ua bërë jetën më të mirë dhe më cilësore, që serbët të ndihen më komod dhe më mirë seç ndjehen tani dhe ne nuk shohim asnjë gjurmë për të përmirësuar jetën e serbëve”- tha ai.

Miodrag Miliçeviq, drejtor ekzekutiv i OJQ “Aktiv” tha se Qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë afatin për targat për 6 muaj. Sipas tij, afati prej dy muajve nuk mjafton për regjistrimin e automjeteve në targat RKS.

“Afati duhet të shtyrë për 6 muaj, pasi është e pamundur që për dy muaj të kryhet ky proces. Për regjistrimin e automjeteve në RKS duhet një patentë valid e lëshuar nga autoritetet në Kosovës. Vetëm procedura për pajisje për patentë shoferë duhen më se dy muaj. Bile edhe nëse eliminohet kushti i patentë shoferit përsëri është e pa mundur pasi 12 për qind e banorëve në veri nuk kanë ndonjë dokument të Kosovës”- tha Miliçeviq. Sipas tij, nuk janë respektuar afatet për regjistrimin e automjeteve sipas marrëveshjes në Bruksel.

Edhe Aleksandar Arsenijeviq, president i Iniciativës qytetare “Mbijetesa serbe” tha se Qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë afatin për targat për të eliminuar eskalimet e mundshme.

“Është me rëndësi të shtyhet afati për targat, nuk është e drejtuar kundër dikujt, por për të ruajtur stabilitetin dhe shmangur eskalimet që mund të ndodhin”- tha Arsenijeviq.

Sa i përket çështjes së marrëveshjes për energjinë në veri, ai tha kjo çështje mund të zgjidhet shumë shpejt dhe tashmë ka nisur leximi i matësve atje.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetje rreth postimit të tij ditë më parë se ministri Xhelal Sveçla mund të jetë takuar me ndonjë përfaqësues serbë në një restorant në veri të vendit, Arsenijeviq tha se ka dashur të dijë arsyen e vizitës së ministrit, dhe pse nuk është qind për qind i sigurt për vizitën e ministrit atje.

Më 31 tetor përfundon afati i Qeverisë për regjistrimin e makinave nga targat jo legale, “KM”, “PR”, “PE”, etj., në ato legale, RKS.

Interesimi i serbëve në veri për të ndërruar targat nga “KM” në RKS ka qenë fare simbolik dhe sipas penalistëve vetëm 15 veta i kanë ndërruar targat e makinave në RKS.

Vendet e QUINT-it i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 10 muaj afatin për targat.