Foto: KRU Prishtina, niveli i ujit

Situata me reduktimet e ujit, flet u. d. kryeshefi i KRU ‘Prishtina’

Javët e fundit, banorët e rajonit të Prishtinës dhe vetë kryeqytetasit janë duke u përballur me mungesë dhe reduktime të ujit.

Lidhur me këtë çështje, ushtruesi i detyrës i kryeshefit ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka thënë për KALLXO.com, se aktualisht problematikë e vetme është turbullira e madhe në burime të ujit.

“Përveç aspektit natyror nuk ka ndonjë arsye tjetër. Sigurisht rritja e kërkesës për ujë si shkak i rritjes së numrit të banorëve në zonën e Prishtinës, ka bërë që disa zona të jenë më të prekura si pasojë e koncentrimit më të madh të banorëve. Mirëpo reduktimet vijnë si pasojë e ndërtimeve dhe mos përcjelljes me infrastrukturë nga niveli lokal komunal, ndërsa aktualisht problematikë e vetme është turbullira e madhe në burime të ujit”, ka thënë ai.

Sipas Xhafës, përveç në Shtime dhe Lipjan, të gjitha komunat tjera operojnë me reduktime të ujit, “në zonat rurale më shumë, ndërsa ne zonat urbane reduktime më të lehtësuara, deri sa të tejkalohet kjo situatë”.

U. d. kryeshefi i kësaj kompanie ka treguar edhe për masat që kanë marrë për tejkalim të kësaj situate.

“Në kuadër të menaxhimit të situatave emergjente është krijuar grupi – shtabi  për menaxhim situate, oraret e stafit të eksperteve në kuadër të drejtorisë dhe impianteve të trajtimit të ujit, janë prezent 24 orë nëpër pika trajtimi, është ndërruar koagulanti nga Alumin Sulfat ne Ferric Sulfat, janë aktivizuar burime alternative me puse nëntokësore për situata emergjente, janë aktivizuar linja tjera emergjente, është bërë plani i reduktimeve me orare për lagje të ndryshme, me prioritet objektet spitalore, ambulantore, shkollore dhe institucionet”, ka thënë Xhafa për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për mungesën e ujit në rajonin e Prishtinës.