Sinanaj: U zhgënjeva nga mënyra si e trajtoi Policia sulmin kibernetik

Agon Sinanaj nga gazeta Buletini Ekonomik thotë se sulmi kibernetik ndaj faqes së këtij portali ka qenë traumatik për të.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” thotë se u zhgënjye nga mënyra se si Policia e trajtoi këtë rast.

“Sulmi ndaj portalit ‘Buletini Ekonomik’ ka qenë traumatik pasi ishte hera e parë që na ndodhi, më 25 shkurt e kuptova që unë dhe një person tjetër përgjegjës nuk jemi të lidhur më me faqe, me postu në Facebook. Pastaj i kam marrë dy emaila që e kanë dëshmu këtë, se unë nuk janë më pronar i faqes”, thotë Sinanaj.

Ai potencon se më pas ka shkuar në Polici për këtë rast, ku i është thënë se nuk do t’ia kthenin faqen.

“Pastaj kam shku në Polici. Pas pesë ditësh më kanë thirrur nga policia, Njësia për krime kibernetike për pyetje shtesë. Nuk kam pasur përvojë të mirë, më kanë thënë se nuk ma kthejnë faqen, ata do duhej ta bënin këtë”, shtoi Sinanaj.

Sipas tij, nga Policia i është thënë se do fillojnë ndjekjen,  e kjo e fundit do mund të merrte kohë.

“Më thanë se do fillonin ndjekjen dhe kjo mund të marrë kohë, unë konsideroja që Policia do duhej të na ofronte siguri edhe në këtë pjesë”, shtoi tutje ai.

Sinanaj thekson se Policia i sugjeroi ta tërhiqte rastin.

“Duke dalë më thanë se nëse i kthej faqet mundem me tërheq rastin, kjo për mua ka qenë shokuese dhe e çuditshme. Kam pasur pritje më të mëdha nga Policia. Dy faqet që janë marrë vazhdojnë të jenë të bllokuara ende”, tha Sinanaj.