Siberi, foshnja e braktisur jashtë në temperaturë -20 gradë celsius, në gjendje të mirë
Një foshnje e braktisur në temperatura -20 gradë Celsius në Siberi është në gjendje të mirë shëndetësore, thonë zyrtarët shëndetësorë në Rusi.
E porsalindura u gjet nga pesë adoleshentë në një kuti vezësh në një rrugë pranë fshatit Sosnovka jashtë Novosibirsk të premten, njoftuan mediat vendore, përcjell BBC.
Foshnja u dërgua me urgjencë në spital nga një prej prindërve të adoleshentëve, ku më pas u deklarua në gjendje të mirë.
Policia, e cila është në kërkim të nënës, ka hapur një hetim për tentim vrasje ndaj një të mituri.
Prindërit e njërit prej adoleshentëve dëshirojnë ta birësojnë foshnjën, por duhet të presin nëse mund të gjenden të afërmit e foshnjës.
Teksa flisnin për gazetën ruse NGS, babai i një prej adoleshentëve, Dmitry Litvinov, tha se pesë fëmijët kishin dalë për një shëtitje në ditën e Krishtlindjeve ortodokse.
“Ishte errësirë, ata po ndiznin telefonat e tyre, duke parë se çfarë kishte në kuti”, tha Litvinov.
“Brenda ishte një vogëlushe e lënë me një batanije si leckë dhe një shishe”, shtoi ai.
Ai dhe bashkëshortja e tij Ana u thirrën në vendin e ngjarjes nga djali i tyre Renat, të cilët më pas e çuan foshnjën me makinë në një spital të qytetit.
Frika ishte se vogëlushja, e cila besohet se ishte rreth treditëshe kur u gjet, mund të kishte pësuar ngrirje dhe nuk do të mbijetonte.
Me të mbërritur në spital, një mjek e ekzaminoi shpejt foshnjën dhe e ngrohi duke ia fërkuar butësisht krahët dhe këmbët.
Vajza u bë rozë dhe u kuptua se ishte e shëndetshme, më pas u transferua në një spital për fëmijë ku tani po kujdesen për të.
Duke folur për NGS, zonja Litvinova tha se ajo dhe shumë nga stafi i spitalit kishin qarë kur dëgjuan se fëmija ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Çifti, i cili tashmë ka tre djem, tani dëshiron të birësojë fëmijën e gjetur, por fillimisht duhet të presin për të zbuluar nëse mund të gjenden të afërmit e fëmijës.
NGS raporton se nëse të afërmit nuk gjenden, prindërit e rinj duhet të mbledhin dokumente dhe të ndjekin kurse të veçanta përpara se të lejohen të kryejnë birësimin.