Dënohet me burg për disa vepra penale ish-oficeri i Policisë

Gjykata e Ferizajt ka shpallur sot aktgjykimin në rastin e ish-togerit të Policisë, Menderes Sinani dhe Vahid Tahirit.

Ish-oficeri akuzohej për disa vepra penale.

Për disa u dënua e për një numër të konsiderueshëm veprash u arrit parashkrimi.

Kujtojmë se ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Menderes Sinani ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Ferizajt dhe ishte dënuar me burgim prej 7 vitesh dhe ndalim të ushtrimit të ndonjë profesioni për 5 vjet, ndërsa Vahid Tahiri ishte shpallur i pafajshëm.

Dënohet ish-Togeri Menderes Sinani

Por, mbrojtja e të akuzuarit Menderes Sinani dhe Prokuroria kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Pas disa seancave të rigjykimit Menderes Sinani u shpall fajtor për veprat penale: Marrje e ryshfetit, dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale dhe për armëmbajtje pa leje.

Trupi gjykues i përbërë nga Musa Konxheli kryetar dhe Sahit Krasniqi e Hysnije Gashi e gjetën fajtorë ish-togerin dhe i njëjti u dënua me 4 vite e 3 muaj burgim.

Ndërsa aktgjykim refuzues u mor për veprat e parashkruara siç janë –shpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje, shmangie nga pagesat e taksave doganore, dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale dhe moslajmërim i veprave ose kryesve.

Si dhe për Vahid Tahirin u mor gjithashtu aktgjykim refuzues shkaku i parashkrimit të veprës – shmangie nga pagesat e taksave doganore.

Menderes Sinani, i cili drejtonte Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt, akuzohet nga Prokuroria e Ferizajt për veprat penale- shpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa Vahid Tahiri akuzohet për shmangie nga tatimet doganore.

Bashkë me Sinanin, po për shpërdorim detyre, akuzohej edhe polici tjetër Besim Shabani, i cili pas marrëveshjes me prokurorin e shtetit është dënuar tashmë me 5 vjet burg nga Gjykata në Ferizaj.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.