I dëmtuari: Rash nga 8 metra lartësi, pronari s’na ofroi asgjë për sigurinë në punë

Në gjykimin e Kadrush Rexhepit, i cili po akuzohet për veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës, është dëgjuar i dëmtuari i këtij rasti, Mentor Ramadani.

Paraprakisht gjykatësja Ilirjana Hoti njoftoi se zëvendësuesi i kryeprokurorit të Prokurorisë së Gjakovës, Ali Selimaj, prokurori Ali Uka, me shkrim kishte kërkuar që aktakuzën e këtij rasti ta përfaqësojë një prokurori tjetër.

Andaj, nga Kryeprokurori i Shtetit rasti i është ndarë prokurorit të Prokurorisë së Prizrenit, Ramadan Koro, i cili e përfaqësoi aktakuzën në gjykatën e Gjakovës.

Gjatë dëshmisë së tij, i dëmtuari Mentor Ramadani tregoi se në kompaninë “EuroAbi”, me pronar Kadrush Rexhepi, kishte punuar pa kontratë të punës dhe të hollat i kishin marrë në dorë.

Lidhur me dy kontratat e prezentuara nga prokurori Ramadon Koro, të nxjerra nga shkresat e lëndës, i dëmtuari Mentor Ramadani tha që nuk është nënshkrimi i tij dhe se është i falsifikuar.

“Unë kam punuar pa kontratë nga muaji nëntor i vitit 2015 e gjerë në ditën kur ka ndodhur aksidenti në vitin 2016. Atë ditë kemi qenë duke e ndërtu një kulm me panel, i cili panel ka qenë i montuar por nga njëra anë ka pasur llamarinë ndërsa pjesa tjetër ka qenë me shkumë dhe kur ka ra shi ose borë, paneli ka peshuar mbi 200 kilogramë, të cilat barten me autokran e ne i kemi bartur me kran të thjeshtë”, deklaroi i dëmtuari.

Ai tha se lartësia kishte qenë mbi 8 metra.

“Me kompaninë “EuroAbi” nga Ferizaj kemi shku me punu në firmën ‘Jatex’ në Gjakovë. Kam qenë duke e bartur një panel, kam rëshqitur dhe kam rënë poshtë në beton. E kam humb vetëdijen pastaj më kanë dërguar në spital në Prishtinë”, tha i dëmtuari.

Mentor Ramadani tha se nuk punohej në ato kushte që ua kishte ofruar punëdhënësi, Kadrush Rexhepi.

“S’kemi pasë as doreza, as syza, as shlema, as uniformë të punës, këpucë të punës, skele, rrypa të sigurisë e shumë të tjera”, deklaroi i dëmtuari Mentor Ramadani.

I dëmtuari tregoi edhe emrat e punëtorëve të tjerë me të cilët kishte punuar: Remzija, Shqiprimi, Albioni, Alfredi dhe dy të tjerë që nuk i dinte.

“Shqiprimi ka qenë si menaxher-kryepunëtor dhe atë ditë i kam thënë që nuk punohet sepse ka qenë koha e keqe, me shi”, shtoi ai.

Mentor Ramadani tregoi se njërën këmbë e ka të krisur, krahun dhe kokën e lënduar dhe se si pasojë e këtij lëndimi në punë tashmë kishte mbetur i paaftë për punë.

Ai tregoi se firma “EuroAbi” në Komoran për mungesë të pajisjeve të punës ishte dënuar nga inspektori i punës.

Më pas, dëshmoi edhe inspektori i punës, Afrim Kuqi.

Inspektori tregoi se është inxhinier i makinerisë dhe i punësuar që nga viti 2002 në Inspektoriatin e Punës në Gjakovë.

Ai tha se e kishte përpiluar raportin zyrtar të këtij rasti, të lëndimit në punë.

“Kam kryer inspektim me kërkesë të palës së dëmtuar Mentor Ramadani, ku kam konstatuar se përgjegjës për lëndimin në punë është punëdhënësi, i cili duhet të ndërmarrë masa për siguri dhe shëndet në punë duke përfshirë masat parandaluese, preventive, udhëzimet e duhura për mirëmbajtjen e pajisjeve të punës si dhe masave për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të punës”, shtoi ai.

Inspektori i punës, Afrim Kuqi, tha se ankesa e palës së dëmtuar ishte vërtetuar si e bazuar.

“Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, punëdhënësi ka qenë i obliguar të vlerësojë çdo rrezikshmëri me të cilën mund të përballet punëtori”, tha ai.

Ndërsa, ndryshe nga i dëmtuari Mentor Ramadani, dëshmitari Remzi Rrahmani, punëtor i kompanisë “EuroAbi”, tha se kishin pasur kontrata të punës.

“Ditën kritike kemi qenë në “Jatex” në Gjakovë, e bashkë me mua ka qenë Mentori, Albioni, Shqiprimi, Alfredi, Cuki dhe Pajtimi. Kemi punuar por kur fillonte shiu i ndërprejshim punimet”, deklaroi dëshmitari Remzi Rrahmani.

Ai tha se kishin pasur të gjitha pajisjet e nevojshme të punës.

“I kemi pasë edhe rripat e sigurisë, por nuk i kemi vendosë sepse na kanë penguar. Skele nuk ka pasur, sepse ato nuk duhen për vendosjen e paneleve. Por obligim i yni është t’i vendosim rrypat e sigurisë”, tha Remzi Rrahmani.

Tutje, ai tha se kanë pasur kontrata të punës.

“Më 2015 nuk kam nënshkru asgjë, nuk më kujtohet, më duket që në 2016 kam pasë kontratë pune”, deklaroi Rrahmani.

Ndërkaq, gjykatësja e rastit, Ilirjana Hoti, caktoi datën 20 dhjetor, për dëgjimin e dëshmitarëve Shqiprim Sabiti dhe Labinot Kameri.

Seanca e kaluar kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarit Kadrush Rexhepi.

Mesazhi nga zyrat e Prokurorisë: Lidhjani kryt diqysh! (VIDEO)

Kadrush Rexhepi po akuzohet për veprën penale të asgjësimit, dëmtimi ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.

Sipas aktakuzës, në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i ka siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.

Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinëpunues në firmën “Abi”, kishte qenë duke bartur një panel llastre të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë.

Firma “Abi” kishte qenë pronë e të akuzuarit Kadrush Rexhepi.

Aktakuza shpjegon se mbulimi i lartësisë së kulmit ka qenë prej 20 metra, me peshë prej 200 kg, gjerësi 70 cm, trashësi 10 cm dhe gjatësi mbi 8 metra, ku i dëmtuari Mentor Ramadani pa pajisje mbrojtëse kishte ecur në një hekur në gjerësi prej 50 cm dhe pasi ka humbur drejtpeshimin ka rënë nga një lartësi prej 8 metrash në beton.

Në lidhje me këtë rast, ishte ndëshkuar prokurori Ramiz Buzhala, ndaj të cilit i është shqiptuar një masë disiplinore nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Pas raportimit të KALLXO.com, prokurori Maqedonci largohet nga rasti i studentes që u ankua për ngacmim seksual

Ndëshkimi kishte ardhur pasi prokurori Buzhala gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës, në mënyrë që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale ndërsa pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Kallxo.com pas një hulumtimi me shkresë të veçantë kishte informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për sjelljen e prokurorit Buzhala.

Ky hulumtim është transmetuar edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

https://kallxo.com/video-i-lenduari-ne-vend-te-punes-tregon-betejen-me-drejtesine/

Në këtë emision ishte transmetuar filmimi gjatë një takimi në mes të prokurorit dhe një familjari të viktimës Mentor Ramadani nga Ferizaj, i cili është lënduar në vendin e tij të punës.

Mesazhi nga zyrat e Prokurorisë: Lidhjani kryt diqysh! (VIDEO)

Gjatë bisedës së tyre, prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetimin se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.

Skandal: Prokurori filmohet duke negociuar dënim më të ulët për biznesmenin

Pas raportimeve të kallxo.com, kyështë prokurori i dytë që po ndëshkohet për shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale.

Pas raportimit të KALLXO.com, prokurori Maqedonci largohet nga rasti i studentes që u ankua për ngacmim seksual

.