Gjykimi i ish-policit Menderes Sinani - Foto: KALLXO.com

Fillon rigjykimi i ish-oficerit të Policisë, i akuzuar për disa vepra penale

Në Gjykatën e Ferizajt ka nisur rigjykimi i ish-oficerit të Policisë së Kosovës, Menderes Sinani, i akuzuar për disa vepra penale, ndër to marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore e dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, dhe ndaj Vahid Tahirit, i akuzuar për shmangie nga tatimet doganore.

Menderes Sinani ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Ferizajt dhe ishte dënuar me burgim prej 7 vitesh dhe ndalim të ushtrimit të ndonjë profesioni për 5 vite, ndërsa Vahid Tahiri ishte shpallur i pafajshëm.

Mbrojtja e të akuzuarit Menderes Sinani dhe Prokuroria kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, ndonëse nuk është më pjesë e Gjykatës së Ferizajt (ai tashmë është gjyqtar në Departamentin Special), njoftoi se me kërkesë të kryetarit të Gjykatës së Ferizajt dhe me vendim të Këshillit Gjyqësor do të jetë në Ferizaj për ta vazhduar dhe zgjidhur deri në fund këtë rast.

Trupi gjykues përbëhet edhe nga gjykatësit Sahit Krasniqi dhe Hysnije Gashi, të cilët edhe më parë kanë qenë në këtë lëndë.

Palët u pajtuan që provat materiale, si dëshmitë e dëshmitarëve, të konsiderohen të lexuara, ndonëse mbrojtësi i të akuzuarit Sinani, avokati Burhan Qosa, tha para trupit gjykues se ka vërejtje në dëshmitë e dëshmitarëve sepse ato, sipas tij, janë kontradiktore.

Para se t’i parashtronte pyetje të mbrojturit të tij, avokati Qosa e njoftoi Gjykatën se për disa pika të aktakuzës ka arritur parashkrimi absolut, prandaj nuk do t’i bëjë pyetje të pandehurit për to.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit për veprën penale të ryshfetit, i pandehuri tha se nuk ka marrë para as nga i dëmtuari Bidajet Sylejmani e e as nga ndonjë i afërm i tij.

Menderes Sinani tha se polici i cili kishte punuar me të në Njësitin kundër trafikimit me qenie njerëzore, Besim Shabani, ishte ai që e ftoi në një takim me Xhemshir Beqirajn, i cili ishte një i afërm i Bidajet Sylejmanit.

I pandehuri e pranoi se me këta të dy është takuar në “Euro Miti”, Ferizaj, por assesi nuk e pranoi se nga ai ka marrë para ose ndonjë dhuratë.

Ndërsa i pyetur nga avokati i tij se si qëndron puna që pas lirimit të Bidajet Sylejmanit nga paraburgimi ai dhe polici Besim Shabani kishin përfunduar në shtëpinë e Bidajet Sylejmanit, i pandehuri Menderes Sinani tha se krejt pas rastit e ka kuptuar se me Bidajet Sylejmanin kishte një afërsi familjare. “Dhe babai i tij më ka ftuar në shtëpinë e tij shkaku se ai ka respekt për mua“, tha i akuzuari.

Sa i përket pikës tjetër të aktakuzës – moslajmërim i kryesve të veprave penale, i akuzuari tha se “ishte ora rreth 6:00 e mëngjesit dhe kam pranuar një thirrje telefonike nga Heset Selimi, pronar i hotelit “International” dhe i njëjti më ka lajmëruar se Ramadan Ajvazi është i dehur dhe në oborrin e lokalit të tij ka gjuajtur me armë zjarri”.

“Me të shkuar atje unë kam gjetur Ramadan Ajvazin të ulur në tokë e i njëjti Ishte i dehur dhe i mërzitur por më tregoi se xhamin e një makine e ka thyer me gur dhe jo me armë”, tha i pandehuri.

Seancat tjera gjyqësore do të mbahen më 31 tetor dhe 21 nëntor.

Menderes Sinani, i cili drejtonte Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprat penale- shpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndërsa Vahid Tahiri akuzohej për shmangie nga tatimet doganore.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga gjykimi i ish-togerit të Policisë.

Apeli Shqyrton Dënimin e ish-Togerit Menderes Sinani

www.kallxo.com