
Gjakovë - Dështon seanca gjyqësore për lëndimin e rëndë në punë
Në mungesë të akuzuarit Kadrush Rexhepi, dështoi të mbahej seanca gjyqësore për lëndimin e Mentor Ramadanit në vendin e tij të punës.
Kadrush Rexhepi po akuzohet për veprën penale të asgjësimit, dëmtimit ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.
Arsyeja e shtyrjes së gjykimit ishte se pala e akuzuar, përmes avokatit të tij Teki Bokshi ka paraqitur kërkesë për shtyrjen e gjykimit, me arsyetimin se i akuzuari nuk mund të merr pjesë sot në gjykim për shkak të problemeve shëndetësore.
I njëjti kishte dorëzuar Gjykatës raportin mjekësor.
Ndërsa gjykatësja e rastit Ilirjana Hoti, seancën e radhës e caktoi me datën 10 dhjetor.
Ftesës së Gjykatës nuk i ishin përgjigjur dëshmitarët Remzi Rrahmani dhe Afrim Kuqi, inspektori u punës.
Ndërsa prezent ishte i dëmtuari Mentor Ramadani dhe avokati i tij Burhan Qosa.
Sipas aktakuzës, në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i ka siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.
Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinë punues në firmën “Abi”, kishte qenë duke bartur një panel të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë.
Firma “Abi” kishte qenë pronë e të akuzuarit Kadrush Rexhepi.
Aktakuza shpjegon se mbulimi i lartësisë së kulmit ka qenë prej 20 metra, me peshë prej 200 kg, gjerësi 70 cm, trashësi 10 cm dhe gjatësi mbi 8 metra, ku i dëmtuari Mentor Ramadani pa pajisje mbrojtëse kishte ecur në një hekur në gjerësi prej 50 cm dhe pasi ka humbur drejtpeshimin ka rënë në një lartësi prej 8 metra në beton.
Në lidhje me këtë rast, ishte ndëshkuar prokurori Ramiz Buzhala, ndaj të cilit i është shqiptuar një masë disiplinore nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Rezultati këtij ndëshkimi kishte ardhur si pasojë se prokurori Buzhala, gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës, në mënyrë që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale ndërsa pronari i një biznesi të dënohet më pak.
Kallxo.com pas një hulumtimi me shkresë të veçantë kishte informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, për sjelljen e prokurorit Buzhala.
Ky hulumtim është transmetuar edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.
VIDEO – I lënduari në vend të punës tregon betejën me drejtësinë
Në këtë emision ishte transmetuar filmimi gjatë një takimi në mes të prokurorit dhe një familjari të viktimës Mentor Ramadani nga Ferizaj, i cili është lënduar në vendin e tij të punës.
Mesazhi nga zyrat e Prokurorisë: Lidhjani kryt diqysh! (VIDEO)
Gjatë bisedës së tyre, prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetimin se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.
Skandal: Prokurori filmohet duke negociuar dënim më të ulët për biznesmenin
Pas raportimeve të kallxo.com, ky është prokurori i dytë që po ndëshkohet për shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale.
.