Behgjet Pacolli

Si e shpjegon tani Pacolli, deklaratën e tij për sulm terrorist ndaj tij

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli në Kallxo Pernime ka treguar për diskutimet e gjata në kohën kur po pritej të votohej qeveria e Avdullah Hotit dhe ai ishte jashtë shtetit.

Në intervistën përballë Jeta Xharrës, Pacolli ka rrëfyer në detaje krejt çfarë kishte ndodhur ato ditë.

“Leja më është anuluar, hera e parë pas 183 aterrimeve që i kam bërë në kryeqytet e botës. Prej 1992 mua nuk më është refuzuar leja e aterimit në Prishtinë, e më refuzohet nga Qeveria Kurti”, tha fillimisht Pacolli.

Ai tregon se si ishte dashur që të ndërronte lokacion dhe të ateronte në Tiranë.

“Unë ateroj në Tiranë dhe në shtëpinë time atje shoh në televizor, ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme duke bërë thirrje, ‘Behgjet Pacolli të lajmërohet menjëherë, se ne do ta arrestojmë kudo që e gjejmë’. Mua më vinte të qesh, pastaj rreth orës 13:00, vjen një deklaratë e kryeministrit që thotë se do të vijë të Pacolli me drejtorin e Policisë. Ata vijnë për me m’shti në pranga”, tha tutje Pacolli.

Pacolli tha se ai nuk ka dashur ta votoj formimin e qeverisë së re, mirëpo mendimi i tij kishte ndërruar kur kishte parë qasjen e zyrtarëve të qeverisë Kurti.

“Erdha në Kosovë dhe më nxitën me qenë një votues i flaktë i kësaj qeverie për shkak të krejt këtyre gjërave që më bënë. Unë s’jam nis të votoj qeverinë fillimisht, por pastaj më nxitën”, tha ai.

Pacolli ka treguar nëse ishte takuar me Hashim Thaçin në atë kohë.

“Nuk jam takuar me Hashim Thaçin. Kam qenë më kryeministrin e Shqipërisë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe kemi qesh më këto gjëra. Me Hashimin kemi fol në telefon por s’jemi takuar. S’kam qenë në veturë. Ai ka qenë deri në Kukës, me një restauruan me sa di”, tha ai.

Pacolli, po ashtu e ka komentuar edhe njëherë deklaratën që e kishte dhënë se ka pasur frikë që ndaj tij është përgatitur një sulm terrorist.

“Ka pasur informata të qarta, që në momentin që vjen aeroplani im në Prishtinë, dikush do të kaloj andej, do ta marrë një copë hekur dhe ta fus në rotor. Në momentin që vihet në funksion rotori i atij motori, ai menjëherë eksplodon. Këto kanë qenë informatat. Unë s’kam thanë që kjo është prej Vetëvendosjes, por informatën që e marrë prej këtij asociacioni dhe të gjithë ato çfarë u diskutuan në atë kohë, dhe unë deklaroj që kjo është hera e parë që unë kam frikë nga një akt i tillë nga përfaqësuesit e qeverisë”, shtoi ai.