QKSS: Raportimet e dhunës në baza gjinore paraqesin një trend në rritje në komuna

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar “Raportin për Vlerësimin Bazë të Dhunës në Baza Gjinore në Kosovë: Perceptimet e Komunitetit dhe Palëve të Interesit”.

Ky raport, sipas QKSS-së, ofron një vlerësim bazë për dhunën në baza gjinore në Kosovë, me fokus në eksplorimin e trendeve dhe sfidave kyçe, të bazuara në këndvështrimet e komunitetit dhe të palëve të interesit.

Nga raporti i QKSS-së janë nxjerrur disa të gjetura kryesore.

Në bazë të hulumtimit që është bërë nga hulumtueset e kësaj Qendre, Dea Fetiu dhe Dorjeta Rukiqi, është treguar se rastet e raportuara të dhunës në baza gjinore paraqesin një trend në rritje në të gjitha komunat.

Në hulumtim është thënë se një nga komunat me rritjen më të madhe të rasteve të raportuara të dhunës në baza gjinore ka qenë Komuna e Mitrovicës.

E gjetura e dytë e këtij raporti është se edhe kërkesat për urdhra të mbrojtjes të shqiptuar nga gjykata janë rritur gjatë vitit të shkuar.

Raporti ka gjetur se të mijetuarat e dhunës në baza gjinore po kërkojnë më shumë urdhra të mbrojtjes sepse ndihen në rrezik më të madh.

Raporti tregon se gjetja e radhës është se modelet e raportimit të dhunës në familje ndryshojnë sipas moshës dhe rajonit. Sipas kësaj gjetje në Komunën e Kllokotit shumica e rasteve të dhunës në familje përfshijnë çiftet që janë mbi 60-vjeç.

Në anën tjetër, raporti tregon se përgjatë hulumtimit është vërejtur se shumica e grave që strehohen ne strehimore në Ferizaj janë gra që kanë përjetuar dhunë për një kohë të gjatë, por që nuk e kanë raportuar rastin, por raporti tregon se rastet e grave të reja që janë më të vetëdijshme i raportojnë rastet me shepjtë.

Një gjetje tjetër tregon se besimi në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë është një faktor kyç që ndikon në raportimin e dhunës në baza gjinore nga të mbijetuarat.

Raporti në fjalë përbëhet nga katër pjesë kryesore, të cilat janë të dhënat dhe trendet e raportimeve të Dhunës në Baza Gjinore, Procesi i Trajtimit të Rasteve të Dhunës në Baza Gjinore, Perceptimet për Faktorët që Ndikojnë në Dhunë në Baza Gjinore dhe Perspektivat për Rehabilitim dhe Riintegrim për të mbijetuarit e Dhunës në Baza Gjinore.

Në panelin e diskutimit gjatë publikimit të këtij raporti kanë qenë Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, Afërdita Mikullovci nga Policia e Kosovës, Erblina Dinarama nga Shtëpia e Sigurt në Gjakovë, Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Leonida Molliqaj nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion.

Publikimi i raportit është pjesë e projektit “Gruaja, Paqja dhe Siguria”, të mbështetur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”.

Projekt i cili synon të adresojë kërcënimet dhe rreziqet e sigurisë me të cilat përballen gratë në komunitet, të ngrisë vetëdijen e komunitetit dhe institucioneve për dhunën në baza gjinore, dhe të ngrisë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në institucione të sigurisë.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.