Shumë negociata e pak qeverisje, dy vjet nga Qeveria Kurti 1

Dy vjet më parë në sallën e Kuvendit të Kosovës deputetët e legjislaturës së shtatë votuan për ‘qeverinë e shpresës’.

Kjo qeveri do të udhëhiqej nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i cili pas më shumë se 4 muaj negociatash kishte arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila drejtohej nga Isa Mustafa.

Zgjedhjet e 6 tetorit 2019, e kishin nxjerrë si të parën partinë e Kurtit, ndërsa LDK-ja e cila prijëse të listës kishte pasur Vjosa Osmanin ishte renditur e dyta.

Andaj edhe në marrëveshjen për koalicion, LDK-ja dhe LVV-ja ishin pajtuar që qeveria e re të ketë 15 ministri, secila prej tyre të udhëheqë me nga gjashtë ministri, posti i kryeministrit t’i takojë Vetëvendosjes, kryeparlamentari LDK-së, ndërsa tri ministri do t’iu takojnë minoriteteve.

Arkiv – Albin Kurti – Isa Mustafa

Mirëpo ‘qeveria e shpresës’ mbahet mend si qeveria më e shkurtër në historinë e Kosovës, sepse vetëm pas 52 ditëve u rrëzua me një mocion të mosbesimit të iniciuar pikërisht nga LDK-ja.

Mollë sherri për ta prishur koalicionin për të cilin kishin mbajtur takime për muaj me radhë, ishte bërë vendimi i kryeministrit Kurti për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, e cila drejtohej nga Agim Veliu i LDK-së.

Më 18 mars, kryeministri Kurti kishte shkarkuar Veliun pasi që ai kishte ndarë të njëjtin mendim për me ish- presidentin Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID-19 e cila në atë kohë kishte prekur vetëm 19 persona në Kosovë.

Kurti në vendim pati thënë se ministri Veliu “ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e Qeverisë, pjesë e të cilës ai është”.

Veliu  në atë kohë kishte lënë udhëheqjen e Komunës së Podujevës për të kaluar në ekzekutiv.

Ky veprim i Kurtit, nuk ‘ia kishte lënë shenjë’ ish-ministrit Agim Veliu, por kishte bërë që partia e tij të thërrasë menjëherë mbledhje të Kryesisë së LDK-së.

Po atë ditë, LDK kishte vendosur t’i jap fund bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen e Kurtit nën arsyetimin se po rrezikon raportet me ShBA-në si dhe shkarkimin e Agim Veliut e kishte bërë pa konsultim paraprak.

“Diskutuam për rrezikimin e marrëdhënieve me ShBA për heqjen e tarifës dhe problemi që lindi me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshje për bashkëqeverisje – shkarkimi i ministrit Agim Veliu”, ka thënë Isa Mustafa pas takimit të Kryesisë së LDK-së.

Pak ditë më vonë, LDK-ja inicoi mocion mosbesimi në Kuvend, dhe më 23 mars ra Qeveria Kurti 1.

Pas këtij mocioni Kurti nuk kërkoi alternativa të formonte ndonjë koalicion të ri, ai kërkonte zgjedhje të reja për të dalë i pari.

Ndërsa LDK-ja e cila doli e dyta, filloi takimet me parti për të formuar Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, i cili në Qeverinë Kurti kishte qenë zëvendëskryeministër.

Për pak ditë, LDK-ja, formoi një koalicion qeverisës së bashku me AAK – NISMA-AKR – Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ky koalicion më datën 2 qershor, mori bekimin e 61 deputetëve për të udhëhequr me Qeverinë vendit.

Mirëpo vota e ish-deputetit Etem Arifi, e cila konsiderohej të ketë qenë vendimtare për këtë Qeveri, u shpall e pavlefshme më 21 dhjetor nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja hapi rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të cilat u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021.

Këto zgjedhje e nxorën bindshëm fituese Lëvizjen Vetëvendosje me 50,28 % të votave, më pas Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) me 17,00 % të votave, kurse Lidhjen Demokratike të Kosovës me 12,731 të votave.

Për shkak të këtyre rezultateve, Isa Mustafa dha dorëheqje nga drejtimi i LDK-së dhe drejtimin e saj e mori Lumir Abdixhiku, i cili shkarkoi Agim Veliun nga pozitat udhëheqëse të partisë.

Me ‘bekimin qytetar’ të 14 shkurtit, Kurti arriti që me 22 mars të vitit 2021 të kthehet edhe një herë në ulësen e tij të kreut të ekzekutivit, ulëse në të cilën qëndron edhe tani.