“Shkarkimi i fundit” i Agim Veliut

Agim Veliu, dikur zëri i bujshëm e vendimmarrës i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tashmë ka mbetur edhe jashtë Kryesisë së re të partisë së tij.

Veliu ka qenë edhe nënkryetar i LDK-së, ndërsa sot nuk është rizgjedhur as në këtë pozitë.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në mbledhjen e sotme ka zgjedhur Kryesinë e re në përbërje të 33 anëtarëve.

KALLXO.com ka kontaktuar me Veliun në lidhje me mos rizgjedhjen si nënkryetar i LDK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Për t’u kthyer në kohë, nën qeverisjen e Vetëvendosjes dhe LDK-së, Agim Veliu ishte bërë arsye për prishjen e koalicionit, pasi i njëjti ishte shkarkuar nga eprori i tij atë kohë, ish-kryeministri Albin Kurti.

Paraprakisht, vendimi i Agim Veliut për t’u bërë pjesë e Qeverisë kishte rezultuar me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Podujevës.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti më 2020-n, me formimin e ekzekutivit të ri me kryeministër, Avdullah Hotin e LDK-së, Veliu u rikthye në Qeveri.

Por zgjedhjet për të parin e Podujevës nuk shkuan ashtu siç priste LDK-ja.

Në këto zgjedhje LDK e humbi bastionin kryesor të saj, pasi kryetar i kësaj komune u zgjodh Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Me zhvillimet e fundit në partinë e Agim Veliut, nga nëntë nënkryetar sa i ka pasur LDK-ja, tashmë i ka vetëm katër.

Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, Anton Quni dhe Shqipe Mjekiqi janë katër zëvendësit e Lumir Abdixhikut, kryetarit të ri, i cili mori besimin e partisë vetëm një javë më parë.

Pasi në zgjedhjet e 14 shkurtit LDK-ja pësoi humbjen më të rëndë në historinë e saj, duke u renditur e treta, strukturat e LDK-së, kanë zgjedhur kryetar Lumir Abdixhikun, pasi dha dorëheqje Isa Mustafa.

Rezultati që la shenjë