Drenas Sheshi

Foto: Denis Sllovinja / Kallxo.com

Shuma që komuna e Ramiz Lladrovcit planifikon të shpenzojë për dekorimin e qytetit

Me rastin e festave të fundvitit, Komunat e Kosovës filluar kanë filluar procedurat e tenderimit për të stolisur sheshet e qyteteve.

Një ndër komunat që do të shpenzojë një shumë “simbolike” është komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyra për Informim ka bërë të ditur se planifikojnë që të shpenzojnë 1,611 euro.

“Komuna e Drenasit zakonisht shpenzon një shumë simbolike për dekorimin e qytetit për festat e fundvit. Vitin e kaluar janë shpenzuar vetëm 1, 611.00 €. Ndërsa, edhe këtë vit, Komuna e Drenasit planifikon të shpenzoj shumën e ngjashme me atë të vitit të kaluar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Siç bëjnë të ditur zyrtarët për media, komuna e Drenasit për dekorimin e festave të fundit ka kontratë kornizë, përkatësisht kontratë tri vjeçare dhe këto mjete nuk mund të përdoren për qëllime tjera.

Në anën tjetër, përmendim faktin që komuna fqinje, Skenderaj ka vendosur që mjetet e parapara për dekorimin e qytetit të shkojnë për familjet në nevojë.

“Marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, gjendjen ekonomike në vend dhe prioritetin tonë që përkrahjen me pako ushqimore e higjienike për familjet në nevojë të vazhdojmë sipas kërkesave dhe nevojave në teren, kam vendosur që këtë vit për festat e fundvitit të mos dekorojmë̈ sheshin “Adem Jashari” dhe qytetin tonë në përgjithësi”, ka shkruar i pari i Skenderajt, Bekim Jashari më 13 nëntor.

Përderisa, Komuna e Ferizajt, Suharekës, Vushtrrisë dhe Prizrenit kanë hapur tenderë për dekorimin e qytetit.

Komuna e Prizrenit ka planifikuar të shpenzojë 30 mijë euro për të stolisur qytetin për festat e fundvitit.

Komuna e Suharekës ka hapur procesin e tenderimit për t’u furnizuar me drita dekorative dhe bredha. Kjo komunë ka planifikuar t’i shpenzojë 5 mijë euro për këtë aktivitet.

Kurse, Komuna që udhëhiqet nga Agim Aliu ka planifikuar t’i shpenzojnë 9 mijë e 900 euro për të stolisur qytetin me drita dekorative e bredha.