
Në kohë pandemie Komuna e Prizrenit ndan 30 mijë euro për stolisjen e qytetit për fundvit
Komuna e Prizrenit ka planifikuar të shpenzojë 30 mijë euro për të stolisur qytetin për festat e fundvitit.
Sipas njoftimit për kontratë do të jetë procedurë e hapur për operatorët ekonomikë.
Përmes kësaj kontrate, Komuna e Prizrenit pritet të blejë një bredh i cili duhet të jetë i dedikuar për vende publike me lartësi 10 metra, diametër në pjesën e poshtme prej 6 metra, nga materiali i çelikut, drurit dhe plastikës.
Komuna ka kërkuar nga OE që në sipërfaqe të vishet me elemente dekorative ndriçuese (elektrike), sipas planeve detaje dhe kërkesës së organit mbikëqyrës.
3 bredha të tjerë për vende publike me lartësi 4 metra, diametër në pjesën e poshtme 2,5 metra, nga materiali i çelikut, drurit dhe plastikës.
400 elementet dekorative të bardha me diametër të ndryshme të ndriçuara e të pandriçuara.
201 silueta nga armaturë e lakuar 6 milimetërshe e punuar në bazë të planeve e detajeve. Gjatësia totale e të gjitha shufrave me të cilat punohen siluetat është 898 m.
95 shufra lidhëse/mbajtëse për siluetat. Gjatësia totale e të gjitha shufrave lidhëse/mbajtëse është 425 m.
898 drita LED (kablo/tub ndriçuese) me jetëgjatësi 30,000 orë.
3,140 drita me gjatësi 1.5 metër.
1 tabelë me përshkrim, e cila duhet ta përfshijë edhe alfabetin e të verbërve.
7 shkrime ndriçuese.
45 drita të tjera LED (kablo/tub ndriçues) për përdorim të jashtëm e shumë furnizime me përforcime e shufra për mbajtjen e elementeve të vendosura.
Në kontratë është paraparë edhe demontimi dhe largimi i gjithë materialit dekorativ si dhe të kthimi i objekteve të dekoruara në gjendjen e mëparshme.
Edhe gjatë vitit 2019, Komuna e Prizrenit kishte ndarë buxhet në vlerë prej 30 mijë euro për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.
Kjo blerje e Komunës së Prizrenit është duke u bërë në kohën kur situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë po vazhdon të keqësohet çdo ditë e më shumë dhe ekspertët shëndetësorë, por edhe institucionet shtetërore po vazhdojnë të kërkojnë nga qytetarët të shmangin grumbullimet. Krejt kjo për të parandaluar mundësinë e përhapjes së COVID-19.
Por të gjithë këto masa të ndërmarra, e pavarësisht numrit të madh të personave të infektuar, komunat e Kosovës kanë filluar procedurat e tenderimit për të stolisur sheshet e qyteteve për festat e fundvitit.
KALLXO.com ka raportuar se si Komuna e Ferizajt, Suharekës dhe Vushtrrisë kanë hapur tenderë për dekorimin e qytetit.