Ilustrim

Komunat nisin procedurat për të stolisur sheshet në kohë pandemie

Situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë po vazhdon të keqësohet çdo ditë e më shumë. Ekspertët shëndetësorë por edhe institucionet shtetërore kanë ndërmarrë masadhe nuk po lejojnë grumbullime të njerëzve, duke mbyllur qendrat tregtare e lokalet në orare të caktuara.

Krejt kjo për të parandaluar mundësinë e përhapjes së virusit COVID-19.

Por të gjithë këto masa të ndërmarra, e pavarësisht numrit të madh të personave të infektuar, Komunat e Kosovës kanë filluar procedurat e tenderimit për të stolisur sheshet e qyteteve për festat e fund-vitit.

Vetëm të hënën, më 2 nëntor kanë qenë dy komuna të Kosovës që kanë nisur procedurat e tenderimit për stolisjen qytetit me drita dekorative.

Zakonshëm, stolisjet e shesheve qendrore të qytetit kanë nxjerrë me qindra e mijëra njerëz në rrugë, të cilët i kanë shfrytëzuar dritat dhe dekorimet për fotografi.

Komuna e Suharekës sot ka hapur procesin e tenderimit për t’u furnizuar me drita dekorative dhe bredha.

Kjo komunë ka planifikuar t’i shpenzojë 5 mijë euro për këtë aktivitet.

Proces të tenderimit për aktivitetin e njëjtë ka hapur sot edhe Komuna e Ferizajt. Komuna që udhëhiqet nga Agim Aliu ka planifikuar t’i shpenzojnë 9 mijë e 900 euro për të stolisur qytetin me drita dekorative e bredha.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se mund t’i stopojnë procedurat, varësisht nga situata me pandeminë.

“Nuk është problem me anulu. Por na nuk e dimë çka ndodhë edhe dy muaj. Na mundemi me i stopu procedurat. Por na duhet me u bo gati. Na i kemi nisë procedurat që 1 javë, e masat u morën sot. Tash të shohim çka po ndodhë, në fund të fundit mundemi me i ndal”, tha shkurtimisht kryetari Muharremaj.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se të hënë kanë rezultuar 486 raste pozitive me COVID-19, ndërsa brenda 24 orëve kanë vdekur 9 persona.