Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Skenderaj nuk dekorohet për fundvit, paratë shkojnë për familjet në nevojë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar se kanë vendosur që këtë vit për festat e fundvitit të mos dekorojmë sheshin “Adem Jashari”.

Jashari ka deklaruar se mjetet financiare të parapara për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit do të shfrytëzohen për menaxhimin e situatës pandemike, në përkrahje të familjeve në nevojë.

“Marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, gjendjen ekonomike në vend dhe prioritetin tonë që përkrahjen me pako ushqimore e higjienike për familjet në nevojë të vazhdojmë sipas kërkesave dhe nevojave në teren, kam vendosur që këtë vit për festat e fundvitit të mos dekorojmë̈ sheshin “Adem Jashari” dhe qytetin tonë në përgjithësi”, ka shkruar i pari i Skenderajt duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e komunës.

Të enjtën, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka apeluar tek të gjithë kryetarët e komunave që të kenë parasysh situatën e rënduar me pandeminë COVID-19 kur bëjnë plane për shpenzime për të dekoruar qytetet për festat e fundvitit.

FSSHK ka kërkuar që mjetet e projektuara për aktivitet të tillë të investohen në sektorin e shëndetësisë dhe në mbrojtje të popullatës në nivel të komunave.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë po vazhdon të keqësohet çdo ditë e më shumë përderisa pavarësisht numrit të madh të personave të infektuar, Komunat e Kosovës kanë filluar procedurat e tenderimit për të stolisur sheshet e qyteteve për festat e fund-vitit.

Vetëm të hënën, më 2 nëntor kanë qenë dy komuna të Kosovës që kanë nisur procedurat e tenderimit për stolisjen qytetit me drita dekorative.