Me kërkesë të mbrojtësve, shtyhet seanca ndaj pesë të akuzuarve për 113 kilogramë heroinë
Ka dështuar të mbahet sot seanca gjyqësore ndaj pesë personave të cilët akuzohen për transport dhe shitje të 113 kilogramë, substancë narkotike e llojit heroinë.
Xhemajl Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale akuzohen nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal lidhur me veprën penale, blerje, posedim i substancave narkotike.
Kurse Alban Gashi për veprën penale, “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale” dhe “Falsifikim i dokumentit”, si dhe Labinot Zenelaj për veprën penale, “Mashtrim”.
Seanca që ishte paraparë të mbahej sot dhe ditën e nesërme është shtyrë me kërkesë të avokatëve, Besnik Berisha dhe Halim Koliqit.
Kryetarja e trupi gjykues, Valbona Selimaj, njoftoi se të njëjtit nëpërmjet parashtresës kanë kërkuar që këto seanca të shtyhen për një datë tjetër.
Avokati Besnik Berisha, gjykatën e kishte njoftuar se gjendet në një rast tjetër në Pejë, dhe se nuk ka mundur të gjejë zëvendësim për seancën e sotme.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale, po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal i organizuar dhe strukturuar së bashku me persona tjerë që gjendeshin në territorin e disa shteteve si Irani, Shqipëria e Kosova, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë shitur dhe transportuar 113 kg substancë narkotike të llojit heroinë, të cilat fillimisht i kanë blerë në Irak dhe pastaj kanë arritur që me maune të mbushura me pllaka të mermerit t’i transportojnë për në Shqipëri dhe Kosovë.
Xhemail Shala dhe Iskender Sale gjithashtu akuzohen edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, kjo për arsye se pasi të njëjtëve i’u janë publikuar emrat e tyre si të dyshuar për trafikim me narkotikë, dhe se kanë paraqitur fakte te rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë e Obiliq, me qëllim të ndërrimit të identitetit të tyre.
Ndërsa, Alban Gashi akuzohet nga prokuroria se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ju ka ndihmuar të akuzuarve të lartcekur në shmangien, zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke ju bërë të mundur pajisjen me dokumente të rreme të identifikimit dhe me këtë ka kryer veprat penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale” dhe “Falsifikim i dokumentit”.
Kurse Labinot Zenelaj akuzohet për veprën penale “Mashtrim”, kjo ngase me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar drejtorinë e auto sallonit “Alberti”, kur e ka kuptuar se kishte vdekur një anëtari i këtij grupi, dhe ai kishte përfituar një veturë nga ai në atë mënyrë që kishte kërkuar çelësat e kësaj veture nga pronari i auto sallonit që ia kishte shitur të njëjtën tani të ndjerit.