Shtyhet protesta e PSD-së 'për një moment të dytë'

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka njoftuar se është shtyrë ‘për një moment të dytë’ protesta e cila ishte e paraparë të mbahej të mërkurën me 6 qershor.

Qëllimi i kësaj proteste ishte kërkimi i dorëheqjes së ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Kjo e gjitha erdhi pas disa deklaratave për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të cilat më pas Murati kishte kërkuar edhe falje.

Kërkim faljen dhe ndërrimin e Muratit, Molliqaj ka thënë se është “zor t’i zihet besë”.

Ai po ashtu ka thënë se Murati, pendesën e tij duhet ta pasojë me veprime konkrete.

“Që ministri Murati ka ndërruar, zor t’i zihet besë. Ajo logjikë nxjerr krye tek vonesa në reagim. E përllogaritur sikur tek statusi për koston financiare të lirisë. Pendesa duket ndryshe dhe pasohet nga veprime konkrete. Test provues më i afërt në kohë do të jetë ligji për pagën minimale”, ka thënë Molliqaj.

Madje sipas tij, Murati u detyra nga presioni i qytetarëve që të “përkulet para luftës së UÇK-së”.

“Në ndërkohë, Partia Socialdemokrate do të vazhdojë me aktivitete në shërbim të dekonstruktimit të kësaj Qeverie anti-UÇK dhe do t’i kundërshtojë pa kompromis të gjitha elementet e saj. Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë”, tha ndër të tjera Molliqaj.

Ministri Murati, para tre ditëve u ka kërkuar ndjesë luftëtarëve të UÇK-së për shkrimet që kishte bërë para disa viteve.

Murati ka thënë se këto shkrime janë bërë nga mllefi që sipas tij, me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës.

Ai ka thënë që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar.