Shtyhet për një datë tjetër debati parlamentar për mosliberalizimin e vizave për Kosovën

Debati parlamentar në lidhje me mosliberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën është shtyrë për një datë tjetër.

Kjo pas kërkesës për shtyrje të propozuesit të këtij debati, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Më 27 qershor, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar se do ftojë debat parlamentar për çështjen e liberalizimit të vizave.

Ky debat ishte thirrur nga shtatë deputetë të AAK-së.

Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, ka thënë se qytetarëve të Kosovës po u bëhet një padrejtësi e madhe me mosliberalizimin e vizave, duke shtuar se në Samitin e Ballkanit Perëndimor për Kosovën ndodhi ajo e zakonshmja.

Tahiri ka thënë se AAK po e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe trajtimin joserioz të kërkesës së Kosovës për lëvizje të lirë.

Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Evropë qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin brenda BE-së.

Qytetarët e Kosovës shpresuan se në samitin e Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor do të futej në diskutim edhe tema për heqjen e vizave, e cila nuk ndodhi.

Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mbajt më 23 qershor.