Shtëpia e Bardhë - Foto: REL/Wikipedia Commons

Shtëpia e Bardhë konfirmon se ShBA do të sanksionojë Putinin dhe Lavrovin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i bashkohen Bashkimit Evropian për të sanksionuar drejtpërdrejt presidentin rus, Vladimir Putin dhe ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë sipas CNN.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki ka thënë se vendimi erdhi pas një telefonate midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Shtetet e Bashkuara do t’u bashkohen atyre (BE-së) në sanksionimin e Presidentit Putin dhe Ministrit të Jashtëm Lavrov dhe anëtarëve të ekipit rus të sigurisë kombëtare,” ka thënë ajo për media duke shtuar se “Pres se do të kemi detaje më specifike gjatë kësaj pasdite”.

E pyetur se çfarë ndryshoi mes të premtes dhe të enjtes, kur Biden njoftoi një raund të ri sanksionesh që nuk përfshinte Putinin, Psaki tha se opsioni “ka qenë në shqyrtim dhe në tavolinë për disa kohë”.

“Pikëpamja e fortë dhe parimi i fortë i Presidentit që nga fillimi i këtij konflikti, madje edhe më parë duhet të them, ka qenë ndërmarrja e veprimeve dhe hapave në përputhje me partnerët tanë evropianë, dhe kjo sigurisht është dëshmi e kësaj”, ka thënë Psaki.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.