ShSKUK: Dy të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj nuk janë larguar nga lista për trajtim në Turqi

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), përmes një komunikate për media ka thënë se dy personat e lënduar nga shpërthimi në Ferizaj, për të cilët u raportua se nuk po dërgohen në Turqi për trajtim, nuk janë larguar nga lista për dërgim në Turqi.

Sipas ShSKUK-së, ata po trajtohen në QKUK, për shkak të shkallës më të vogël të djegies.

“Dy pacientët në fjalë, bashkë me pacientët tjerë të lënduar, po marrin trajtimin e vazhdueshëm mjekësor nga profesionistët shëndetësorë të QKUK-së.Në bazë të vlerësimit të gjendjes nga profesionistët shëndetësorë, do të shikohet mundësia që edhe këta dy pacientë të dërgohen jashtë vendit për trajtim”, thuhet në komunikatë.

ShSKUK-ja thotë se bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë vepruar konform konsultave me mjekët profesionistë të fushës dhe nuk e kanë hequr askënd nga lista për trajtim jashtë vendit.

“Rastet e kësaj natyre (me shkallë më të vogël të djegies) janë trajtuar në QKUK për 20 vjet me radhë, në mënyrë profesionale dhe me sukses të plotë”.

KALLXO.com raportoi sot se si familjarët e njërit prej të lënduarve, po ankohen se shteti nuk po iu siguron trajtimin jashtë vendit.

Ilir Gashi është familjar i të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj, Fidan Gashit. Për këtë të fundit, QKUK-ja ka kërkuar që të ketë trajtim jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Por Ilir Gashi pretendon se familjarit të tij dhe një tjetër personi të lënduar në gjendje më të rëndë, nuk po iu sigurohet trajtimi në Turqi.

“Mjekët e QKUK kanë kërkuar që në total gjashtë të lënduar që janë në gjendje më të rëndë, të dërgohen për në Turqi për trajtim atje. Kjo pasi Kosova nuk ka një Klinikë adekuate për trajtim të djegieve të rënda dhe ekziston edhe rreziku të infektimit me COVID-19. Por vendimi nga Ministria është marrë vetëm për 4 persona. Familjari im dhe një tjetër përsoni të lënduar rëndë nuk po iu sigurohet trajtimi në Turqi”, ka thënë Gashi për KALLXO.com

Familjarët e të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj ankohen se shteti nuk po siguron trajtimin në Turqi