Foto: Komuna e Ferizajt

Bombolat e kurdisura në Kosovë

Një numër i madh i bombolave të gazit që përdoren nga amvisëritë, gastronomia si dhe një pjesë e industrisë, nuk kalojën nëpër faza testuese gjë që shpesh ka shkaktuar incidente në Kosovë.

Si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, të martën, në qytetin e Ferizajt u lënduan 42 persona, disa prej tyre rëndë. Pesë po trajtohen në repartin intensiv në QKUK.

Duke iu referuar këtij incidenti Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të ditur nëse kryhen inspektime të operatorëve ekonomik që bëjnë shitjen e gazit dhe si dhe bombolave.

Nga MTI-ja është kërkuar përgjigje nëse bëhet ndonjë inspektim i cilësisë, sasisë apo sigurisë së gazit që shitet në Kosovë.

Por, në këtë institucion nuk kanë dhënë përgjigje për asnjërën nga pyetjet përveç se është rekomanduar që të kërkohet përgjigje nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

“Çështja e bombolave të gazit (pajisjeve nën presion) rregullohet me Ligjin Nr. 06/L-031 për pajisjet nën presion, dhe mbikëqyret nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit”, thuhet në përgjigjen e vetme që ka kthyer Naim Hajra nga Inspektorati i Tregut në këtë ministri.

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit thonë se importuesit janë përgjegjës për vënien në treg bombolave, të cilat, sipas kësaj ministrie, duhet t’i plotësojnë kushtet themelore të sigurisë.

“Importuesi apo përfaqësuesi i autorizuar janë përgjegjës për vënien në treg të pajisjeve nën presion të cilat duhet t’i plotësojnë kushtet themelore të sigurisë. Importuesi apo përfaqësuesi i autorizuar është i obliguar që të prezantojë certifikatën e konformitetit dhe dokumentacionin përcjellës të pajisjes nën presion”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Por, shitjen e bombolave të gazit apo pajisjeve nën presion mund ta bëjë gjithsecili operator ekonomik.

Për ta bërë këtë nuk nevojitet ndonjë licencë specifike.

“Sa i përket operatorëve ekonomik për shitjen e bombolave të gazit apo pajisjeve nën presion, nuk ka nevojë [për] licencë paraprake”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Ligji parasheh kontrolle të rrepta

Ligji për pajisjet nën presion obligon çdo operator ekonomik që përdorë bombola gazi që të mirëmbajë ato dhe të trajnojë stafin duke ofruar udhëzime të nevojshme për përdorimin e tyre.

Ligji parasheh edhe kontrollet e vazhdueshme teknike të bombolave të gazit.

Pas shpeshtimit të rasteve të shpërthimit të bombolave të gazit në Kosovë, Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamentin për Siguri Publike për faktin nëse kryen ndonjë inspektim.

Mirëpo, në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë thënë se ky departament nuk e mbulon këtë fushë.

Pa test sigurie

Lirik Veselaj, njohës i sigurisë dhe shëndetit në punë thotë se në Kosovë nuk ka kontrolle shtetërore për kualitetin dhe gjendjen në të cilën mbahen bombolat e gazit.

“Secila bombol e gazit do të duhej të kishte “A test”, një dokument i cili e dëshmon përformancën e saj dhe gjithashtu edhe mënyrën e përdorimit. Secila bobol e gazit do të duhej ta kishte edhe një manual të përdorimit me të cilin punëtorët do të njiheshin me funksionet e saj”, thotë Veselaj.

Ditë më parë ndodhi edhe një shpërthim i një bombole gazi në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj ku u lënduan 12 persona.

Po ashtu 11 persona u lënduan nga shpërthimi i bombolës së gazit në vitin 2019, në Rahovec.

Prejardhja e dyshimtë e bombolave

Pjesa më e madhe e këtyre incidenteve sipas Lirik Veselajt nga HSK- Siguria dhe Shëndeti në Punë, ndodhin për shkak të pajisjeve të pasigurta, mungesës së trajnimit të stafit si dhe ruajtjes së bombolave në vende joadekuate.

“Te operatorët ekonomik ekziston njëfarë standardi që nuk aplikohet në Kosovë për shkak se çdo operator ekonomik që furnizon restorantet dhe lokalet e tjera të natyrave të ndryshme me bombola gazi duhet që paraprakisht të caktoj një vend adekuat për t’i vendosur këto bombola si dhe të vendosë sinjalistikën paralajmëruese”, thotë Veselaj.

Trajtim jashtë vendit për të lënduarit

Nga shpërthimi që ndodhi pasditen e së martës në Ferizaj, pesë persona të lënduar janë duke u trajtuar në repartin intensiv të QKUK-së në Prishtinë.

Doktori Shiqer Uka tha për REL-in se deri të mërkurën pasdite, në mjekim intensiv qendror janë trajtuar pesë pacientë ndërsa tetë të tjerë kanë qenë duke u trajtuar në klinikën e kirurgjisë plastike.

Ndërkohë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar mbrëmjen e së mërkurës se bazuar në informatat zyrtare të pranuara nga Ministria e Shëndetësisë, 4 pacientë, që kanë pësuar djegie nga shpërthimi i bombolës në Ferizaj do të dërgohen për trajtim të mëtejmë në Turqi.

Siç njofton ShSKUK-ja, institucionet e Turqisë kanë bërë të ditur se tash për tash kanë kapacitete për trajtimin e vetëm katër pacientëve.

“ShSKUK deklaron se përzgjedhja e tyre [pacientëve] do të bëhet nga konsiliumi i mjekëve të QKUK-së, bazuar në shkallën e djegieve, dëmtimet trupit dhe rrezikshmërisë së lartë për pacientin”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, ministri i shëndetësisë, Aremend Zemaj, njoftoi se janë dërguar dy pacientët e parë në Turqi.

“Nëpërmjet dy aeroplanëve, sot herët në mëngjes, i përcollëm për trajtim në spitalet e Turqisë dy pacientët e parë në gjendje më të rëndë të lënduar nga eksplodimi i bombolës së gazit në Ferizaj, dy të tjeret janë në pritje të nisjes”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Disa nga të lënduarit e tjerë nga ky incident janë duke u trajtuar në QKUK si dhe Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.

Ku përdoret gazi

Kosova nuk ka treg e as infrastrukturë të gazit.

Kosova parasheh që të lidhet me disa projekte të mundshme, përfshirë këtu edhe Gazsjellësin Trans-Adriatik përmes Shqipërisë thuhet në një raport të Institutit për Ekonomi të Energjisë dhe Analizë Financiare i publikuar në muajin tetor të vitit 2020.

Në mungesë të infrastrukturës së gazit dhe lidhjes me gazsjellës, qytetarët e Kosovës pajisen me gaz përmes bombolave kryesisht nga kompanitë e karburanteve.

Në këto pika zakonisht mund të blihen bombola të ndryshme që përdorën për ngrohje si dhe për përgatitjen e ushqimeve.

Më së shumti bombolat e gazit përdoren në sektorin e gastronomisë./REL