Foto: REL

Shqiprim Arifi zgjidhet kryetar i Preshevës

Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim, është zgjedhur sot kyetar i ri i Preshevës.

Pro zgjedhjes së tij kanë votuar 20 këshilltarë komunalë nga gjithsej 38 sa ka kuvendi komunal i Preshevës.

Në seancën e kuvendit komunal të kësaj Komune, Ardita Sinani u shkarkua nga posti i kryetares së Komunës së Preshevës.

“Alternativa për ndryshim” në Preshevë kishte mbledhur nënshkrimet për të rrëzuar qeverisjen lokale, përmes të cilës u kërkua shkarkimi i kryetares Sinani.

Sinani dje kishte kërkuar që të shtyhet mbajtja e kuvendit komunal për shkarkimin e saj, pasi sot do të zhvillonte një takim me kryeministri Albin Kurti, në Prishtinë.

Kryeministri Kurti nga ky takim me përfaqësues tjerë politik të Luginës tha se nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Arifi nuk mori pjesë në këtë takim, ndonëse u tha se kishte ftesë.

Më 3 prill 2022, Shqiprim Arifi gjatë procesit zgjedhor në Serbi tha se shohin një neglizhencë të qeverive kosovare, sepse sipas tij, i kanë lënë në “mëshirën dhe mundësitë” e tyre.

Sinani u shkarkua nga posti i të parës së Preshevës pas 1 viti në krye të  kësaj Komune.

Ardita Sinani u zgjodh kryetare e Komunës së Preshevës në maj të vitit të kaluar, pasi arriti koalicion me Ragmi Mustafën e Partisë Demokratike Shqiptare, i cili u zgjodh nënkryetar i komunës dhe Sami Salihun nga Lëvizja për Reforma, që mori postin e kryetari të Kuvendit komunal.

Partnerët e koalicionit nga radhët e “Lëvizjes për Reforma” që ia dhanë votat Sinanit për ta zgjedhur kryetare para një viti, tani kanë inicuar shkarkimin e saj ndërsa nuk janë përmendur arsyet për largimin e tyre dhe bashkëqeverisjen me partnerë tjerë.